Please enter at least 3 characters.

​Haziri akuzon Kurtin për dështimin e zgjedhjes së presidentit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po e dërgon vendin në zgjedhje të reja.

Sipas tij, lideri i LVV-së është fajtori kryesor pse po dështon zgjedhja e presidentit.

“Po dëshiron me shkaktu zgjedhje dhe me mbërri qëllimin. Këtë qëllim a e mbërrin përmes votës qytetare apo jo kjo është diçka tjetër. Ne po dëshirojmë me evitu zgjedhjet, pasi herët tjera mundet me ardh problem krejt tjetër, çështja e kryeministrit dhe çështje të tjera si qëllim politik. Duhet me pas qëllimin e republikës e jo të një partie”, tha ai.

Ai tha se Kurti po ndryshon metodat, por jo qëllimin për të pasur pushtetin absolut.

“Vitin e kaluar për çështje të kryetarit të Kuvendit, sivjet për çështjen e presidentit, më herët për çështje të qeverisë. Gjithmonë është diçka që zotëri Kurti e ka një qëllim. Ai ndryshon metoda por asnjëherë në kërkesa të tij dhe kjo është ajo që në politikë nuk funksionon gjithmonë. Nuk mundesh me shty në agjendë diçka që përcakton vetëm qëllimin tuaj”, shtoi Haziri.

Ai tha se LDK-ja është si feniksi dhe se rikthimi i madh i kësaj partie do të ndodhë, kur u pyet për deklaratat e Kurtit se LDK dhe PDK nuk po e lexojnë vullnetin e popullit në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar.

“LDK-ja është si feniks. Unë besoj se në tri raste në histori se kemi dëshmuar në këto 37 vjet rikthimin e madh. Kur të tjerët kanë besu që LDK-ja është shuar përmes luftës që ia kanë bërë, burgosjen dhe është mundu me sakatu politikisht ne jemi rikthyer. Rikthimi i LDK-së do të ndodh sot a nesër. Më mirë është me pa hallin e Republikës sesa hallin e LDK-së si parti themeluese të kësaj republike”, tha Haziri.

Haziri i cili është edhe deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës i bëri këto komente pas mbledhjes së Komisionit për punë të jashtme të mërkurën.

Kuvendi ka afat kushtetues deri më 28 prill të zgjedh presidentin e vendit, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të reja./KP/