Please enter at least 3 characters.

Haxhiu: Serbia nuk mund të flasë për paqe, ndërsa mohon Kosovën dhe nuk zbardh krimet e luftës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryetares së Kuvendit serb, Ana Bërnabiq, duke kërkuar dënimin e asaj që e cilësoi si retorikë shoviniste dhe revizioniste.

Haxhiu ka deklaruar se, ndërsa familjet në Kosovë ende presin zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit, zyrtarët serbë vazhdojnë, sipas saj, me deklarata që mohojnë shtetësinë e Kosovës dhe përsërisin pretendime territoriale ndaj saj.

“Këto deklarata janë vazhdim i gjuhës së mohimit, urrejtjes dhe propagandës mbi të cilën u ngrit politika shoviniste dhe ekspansioniste e regjimit të Millosheviqit”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka theksuar se Serbia nuk mund të pretendojë përkushtim ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve, ndërsa, sipas saj, nuk bashkëpunon për zbardhjen e krimeve të luftës dhe vazhdon ta trajtojë Kosovën si pjesë të territorit të saj.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran që nga 17 shkurti 2008. Ky realitet nuk zhbëhet me deklarata politike”, ka deklaruar Haxhiu.

Kryetarja e Kuvendit ka përmendur edhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, e cila konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Sipas saj, Kosova është njohur nga 121 shtete dhe vazhdon të forcojë pozitën e saj ndërkombëtare përmes pjesëmarrjes në organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë.

Haxhiu u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që të dënojnë, siç u shpreh ajo, “gjuhën shoviniste, revizioniste dhe nxitëse”.

“Pretendimet territoriale ndaj një shteti fqinj dhe retorika që përsërit narrativat e regjimit të Millosheviqit nuk kanë vend në Evropën e shekullit XXI”, ka përfunduar Haxhiu.