Haxhiu: Nuk përjashtohet mundësia që zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme të mbahen bashkë
Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu ka folur pas dështimit të 26-të të konstituimit të Kuvendit.
Haxhiu nuk ka përjashtuar mundësinë që në situatën aktuale politike, të kemi zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme në të njëjtën kohë.
“Sot kemi ftesë nga presidentja Osmani që të takohemi në orën 14:00 të flasim për datën e mundshme të zgjedhjeve lokale. Ne do të jemi të pranishëm në këtë takim. Është e rëndësishme që partitë politike të dëgjohen të shihen propozimet e tyre për datën e mundshme të zgjedhjeve lokale. Por nuk përjashtohet situata ku mund të mbahen të dyja bashkë”, tha Haxhiu.
Ajo u shpreh se si LVV nuk janë kundër, por nuk është ky qëndrimi i tyre primar.
“Por në qoftë se mbahet peng dhe nuk konstituohet Kuvendi atëherë e vetmja zgjidhje tjetër janë zgjedhjet. Ndonëse ne e dimë që pa u konstituuar Kuvendi nuk mund të shkohet në zgjedhje, por kjo mund të bëhet me një marrëveshje të re politike”, tha Haxhiu.
Deputetja dhe kandidatja për kryeparlamentare tutje shtoi se qëllimi i partive tjera është që të pamundësohet Qeveria Kurti 3.
“Sa i përket kësaj çështje ne kemi thënë në vazhdimësi që qëllimi është që të pamundësohet Qeveria Kurti 3 dhe krahas kësaj këta nuk kanë mundur ta thonë hapur këtë, por kanë përdorur forma të tjera dhe sulme të shumta. Nuk është kjo çështje individuale, për mua dhe LVV është e rëndësishme që të konstituohet Kuvendi dhe ti hapim rrugë themelimit të Qeverisë Kurti 3”, tha Haxhiu.
Deputetja shtoi se është e rëndësishme të kemi takime, diskutime dhe vullnet për të dalë nga kjo situatë. /Telegrafi/


