Hasani: Vendimi i Gjykatës profesional, dekreti i Osmanit ishte tërësisht kundërkushtetues
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e vlerëson si profesional aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me rrëzimin e dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit si dhe afatin 34 ditor shtesë për zgjedhjen e presidentit.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare në një intervistë për KosovaPress, thekson se, ndonëse arsyetimi juridik i vendimit është korrekt, gjuha e përdorur në dispozitiv “reflekton njëfarë hezitimi” të Gjykatës për ta emërtuar drejtpërdrejt situatën si vendim kundërkushtetues të Osmanit, siç thotë për shkak të frikës dhe presionit që i është bërë këtij institucioni.
Megjithatë, ai sqaron se aktgjykimi nuk prodhon pasoja direkte juridike për presidenten, pasi objekti i shqyrtimit ka qenë vetëm kushtetutshmëria e dekretit dhe jo përgjegjësia e saj personale.
“Kur një akt juridik nuk prodhon asnjë efekt juridik, atëherë kemi të bëjmë me pavlefshmëri absolute të aktit. Ky është një emërtim tjetër për të thënë se dekreti ka qenë tërësisht kundërkushtetues”, thotë Hasani.
Ai shton se ky konstatim e bën dekretin për shpërndarjen e Kuvendit juridikisht të pavlefshëm, “sikur të mos kishte ekzistuar fare”, duke e cilësuar këtë si shkallën më të lartë të kundërkushtetutshmërisë.
Në këtë kontekst, Hasani konsideron se Vjosa Osmani ka gabuar me vendimin për shpërndarjen e Kuvendit, pasi një kompetencë e tillë, sipas tij, nuk ekziston në asnjë sistem parlamentar evropian si kompetencë autonome e kreut të shtetit.
“Objekt i çështjes nuk ka qenë vlerësimi nëse Presidenti ka shkelur Kushtetutën, por nëse dekreti është kushtetues”, shton Hasani.
Sipas tij, çdo procedurë eventuale ndaj presidentes duhet të iniciohet veçmas nga të paktën 40 deputetë në Gjykatën Kushtetuese, të cilët duhet të argumentojnë shkeljen e Kushtetutës, duke u mbështetur edhe në këtë aktgjykim.
Hasani gjithashtu thekson se një procedurë e tillë është e ndarë nga çështja e shkarkimit të presidentit, i cili kërkon shumicë prej dy të tretash në Kuvend, duke e bërë këtë një proces politikisht të ndërlikuar.
Kjo është intervista e plotë:
Si e vlerësoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë Kuvendit edhe 34 ditë shtesë për zgjedhjen e presidentit? A është ky interpretim në përputhje të plotë me frymën e Kushtetutës?
Hasani: Aktgjykimi është profesional në pjesën arsyetuese, por në dispozitiv ka një gjuhë që, në tërësi, ngjason me dispozitivin e aktgjykimit të parë të vitit të kaluar për konstituimin e Kuvendit. Kjo gjuhë është e qartë për juristët kushtetues, por reflekton njëfarë hezitimi të Gjykatës Kushtetuese për ta emërtuar drejtpërdrejt fenomenin e përshkruar. Nuk i fajësoj aspak, duke marrë parasysh faktin që kanë qenë nën presion vitin e kaluar, aq sa një pjesë e gjyqtarëve kanë qenë edhe të ekspozuar ndaj rrezikut fizik.
A përbën kjo një praktikë të re kushtetuese apo është brenda kornizës së interpretimit të mëhershëm të Gjykatës?
Hasani: Po. Arsyetimi është korrekt dhe tregon qartë se, në një sistem parlamentar, shefi i shtetit (presidenti apo monarku) nuk mund ta shpërndajë parlamentin në mënyrë autonome dhe jashtë autorizimit të shprehur kushtetues. Për këtë arsye, në dispozitiv, Gjykata ka theksuar se dekreti i Presidentes së Republikës për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka prodhuar asnjë efekt juridik. Kur një akt juridik nuk prodhon asnjë efekt juridik, atëherë kemi të bëjmë me pavlefshmëri absolute të aktit. Ky është një emërtim tjetër për të thënë se dekreti ka qenë tërësisht kundërkushtetues. Këtë nuk e ka thënë Gjykata për shkak të frikës dhe presionit që ka pasur vitin e kaluar dhe në raste të tjera.
Gjykata ka konstatuar se dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit nuk prodhon efekt juridik. Sa i qëndrueshëm është ky arsyetim në aspektin praktik?
Hasani: Siç e thashë, bëhet fjalë për përshkrimin e një akti juridik si tërësisht kundërkushtues, meqë nuk ka prodhuar asnjë pasojë juridike. Pra, dekreti për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës është tërësisht i pavlefshëm, sikur të mos kishte ekzistuar fare. Kjo është shkalla më e lartë e kundërkushtetutshmërisë dhe përfshin nenet e Kushtetutës të përmendura në paragrafin 4 të aktgjykimit që flet për objektin e çështjes.
A ka pasur hapësirë kushtetuese që presidentja të veprojë ndryshe në këtë situatë? Çfarë pasojash juridike dhe kushtetuese mund t’i ketë ajo pas këtij vendimi jokushtetues?
Hasani: Sigurisht që Presidentja e Republikës ka gabuar kur ka shpërndarë kuvendin, meqë ka shpërndarë përfaqësuesin e sovranit. Këtë të drejtë nuk e ka askund presidenti i republikës në një sistem parlamentar, dhe këtë e ka thënë qartë Gjykata në pjesën arsyetuese, kur ka dhënë zgjidhjet krahasimore kushtetuese. Njëjtë si në Kosovë, në asnjë kushtetutë të Evropës që ka sistem parlamentar, shefi i shtetit nuk ka kompetencë autonome për shpërndarjen e parlamentit.
Asnjë pasojë nuk mund të ketë për zonjën Osmani, sepse objekti i çështjes nuk ka qenë vlerësimi nëse Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por nëse dekreti i Presidentit të Republikës së Kosovës për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, në vetvete, është kushtetues. Ky, në fakt, është vetë titulli i aktgjykimit të sotëm: “Vlerësim i kushtetutshmërisë së Dekretit [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026 të Presidentes së Republikës së Kosovës”.
Nëse dikush mendon se zonja Osmani ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, mund të nisë procedurat para Gjykatës Kushtetuese në bazë të nenit 9.2, në lidhje me nenin 113.6 të Kushtetutës së Kosovës. Në një procedurë të tillë, aktgjykimi i sotëm shërben si fakt dhe pala iniciuese duhet të arsyetojë saktë pse dhe si zonja Osmani ka shkelur Kushtetutën e Kosovës. Pra, thënë me fjalë të tjera, pala që nis një procedurë të tillë – 40 deputetë të Kuvendit të Kosovës – duhet të argumentojnë shkeljet kushtetuese që kanë qenë objekt shqyrtimi të aktgjykimit të sotëm.
Afati për vendosje për atë nëse Presidentja Osmani ka shkelur Kushtetutën është shtatëditor dhe nuk ka lidhje nëse ajo e përfundon mandatin. Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe praktikës standarde në gjyqësinë kushtetuese evropiane, gjykatat kanë të drejtë të vazhdojnë procedurën edhe atëherë kur bie objekti i shqyrtimit, për çfarëdo arsye qoftë.
Shkarkimi i Presidentit të Republikës, sipas nenit 91.3 të Kushtetutës, është një çështje krejt tjetër. Me fjalë të tjera, procedura për vlerësimin nëse Presidentja Osmani ka shkelur Kushtetutën e Kosovës është e ndarë nga përfundimi i funksionit të saj, sepse shkarkimi, edhe në rast të një presidenti aktiv, mund të mos ndodhë në Kuvendin e Kosovës, meqë kërkohet shumica prej dy të tretash të deputetëve. Nëse kjo procedurë do të niset, mbetet në vlerësimin e aktorëve politikë. /KP/


