Please enter at least 3 characters.

​Hasani: Nuk vij më në Kuvend

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani tha se problemi për ngërçin politik janë kryetarët e partive.

Ai tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti duhet ta kuptoj që nuk është fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Hasani tha se nuk do të shkoj më në Kuvend.

“Qëndrimi im është që më mirë mos me ardhur fare, unë kam thënë që të vijnë vetëm kryetarët e partive dhe le të na përfaqësojnë. Cila është arsyeja që të na mundojnë neve me ardhur, duhet me ardhur prej Prizrenit me ardhur këtu me dëgjuar atë refrenin për të 30-tën herë. Kjo është e dëmshme në raportin e marrëdhënieve ndërkombëtare në të cilën po kalon Kosova... Unë për herë të fundit sot vij...ju kam treguar të gjithëve”, tha ai.

Ai tha se “nuk e ka ngarkesë takimin”, veçse shtoi se problemi është tek kryetarët e partive.

“Ne jemi familjarë, me zonjën Selimi jemi familjarë, me Shqipen njihem që herët. Cila është arsyeja, mos me nejt unë me Shqipen, mos me bisedua me Shqipen?... Nuk jemi armiq mes vete, këtë duhet ta kuptojmë, ne jemi kundërshtar politik për zgjedhjen e pushtetit dhe për zhvillimin dhe ndërtimin e institucioneve. Por, këto janë mundësitë, takohem edhe Albinin, edhe me Glaukun, takohem edhe Vitinë edhe me Shqipen, edhe me Albulenën. Nuk e kam atë ngarkesë takimin. Problemi është tek kryetarët e partive”, tha ai, raporton KP.

Deputeti i PDK-së tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti duhet ta kuptojë që nuk është fitues i zgjedhjeve.

“Partia e parë është problemi që nuk hap mundësi. Ata duhet të hapin mundësi dhe ne të përgjigjemi. S’është me rëndësi cili është votimi, i fshehtë apo i hapur. Unë e kam qëndrimin tim, e kam bërë publike tërë kohën qëndrimin tim, po jam për zgjidhje. Le të japin përparësi, të japin mundësitë, ata duhet të japin mundësitë, ne duhet t’i përgjigjemi mundësive të tyre. Ai (Kurti) duhet ta kuptoj një herë e përgjithmonë se nuk i ka fituar zgjedhjet, është partia e parë, por nuk i ka fituar zgjedhjet”, u shpreh Hasani.