Please enter at least 3 characters.

Haradinaj shpallet i pafajshëm

2016/01/f.0403081308229_m.jpg

Gjykata urdhëroi lirimin e Haradinaj dhe Balaj menjëherë pas përfundimit të formaliteteve të nevojshme.

Trupi gjykues i këtij procesi i kryesuar nga gjykatësi holandez, Alfons Orie duke arsyetuar lirmin e Haradinaj tha se në bazë të përfundimeve aktuale dhe ligjore të përcaktuar në aktgjykim dhoma shpall Haradinaj të pafajshëm dhe e shfajëson nga të gjitha aktakuzat. Gjykatësi Orie theksoi se po ashtu e njëjta gjë vlen edhe për z. Balaj.

Lahi Brahimaj u shpall fajtor për dy akuza: trajtim mizor dhe torturë si shkelje të ligjeve të luftës. Ai u shpall i pafajshëm për akuzat e tjera të aktakuzës.

Brahimaj u dënua me gjashtë vjet burg, që përfshin kohën që ka kaluar në burg rreth tri vjet. 

Aktpadia kundër Haradinajt, i cili njëherësh është edhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ishte ngritur vetëm 100 ditë pasi që është emëruar në postin e kryeministrit të Kosovës, nga i cili post ai ka dhënë dorëheqje më 8 mars të vitit 2005, për të udhëtuar të nesërmen vullnetarisht në Hagë.

Veprimet e tij atëbotë janë vlerësuar lart nga autoritete të shumta ndërkombëtare.

Tre të akuzuarit ishin ngarkuar me 37 vepra gjatë kohës kur kanë drejtuar me forcat e ish-UCK-së, në Zonën Operative të Dukagjinit në Kosovën perëndimore.

Prokuroria kishte kërkuar një dënim maksimal prej 25 vjetësh për Haradinajn, duke e akuzuar atë për krime të rënda ndaj civilëve serbë në rajonin, ku ai ka komanduar. Por pala mbrojtëse ka thënë se akuzat nuk kanë bazë dhe kishte kërkuar lirimin e pakusht të Haradinajt.

Gjykimi i Haradinajt në Hagë shënoi gjykimin e dytë me radhë ndaj shqiptarëve të Kosovës, pas atij ndaj Fatmir Limajt, aktualisht ministër në qeverinë e Kosovës, i cili po ashtu u lirua si i pafajshëm nga të gjitha akuzat.

Qeveria e Kosovës përshëndet vendimin e lirimit të Haradinaj

Qeveria e Republikës së Kosovës ka përshëndetur vendimin e Trupit Gjykues të Tribunalit të Hagës për shpalljen e pafajësisë dhe lirimin e Ramush Haradinaj dhe Idriz Balaj.

“Edhe me këtë proces gjyqësor u dëshmua se lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ishte luftë e drejtë, luftë çlirimtare, dhe konform rregullave dhe konventave ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Qeveria e Kosovës shpreh keqardhje për dënimin e Lahi Ibrahimaj, por shpreson në lirimin sa më të shpejtë të tij, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. 

Letra e Ramush Haradinaj pas aktit të shpalljes së pafajësisë

Pas përfundimit të procesit gjyqësor dhe shpalljes së vendimit nga Tribunali i Hagës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka lëshuar një deklaratë të liderit të saj, Ramush Haradinaj.

Deklaratën e plotë është në vijim:

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Me padurim po pres të kthehem te familja dhe qytetarët e mi të dashur të Rebublikës së Kosovës.

Ne ende kemi përpara sfida të vështira. Populli i Kosovës meriton të jetojë në një shoqëri të lirë, ku vlerat janë të mbrojtura dhe të garantuara, dhe ku shoqëria ofron mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët. Ky është vizioni për të cilin do të përkushtohem gjtatë tërë jetës sime.

Kur kam dhënë dorëheqje në mars të vitit 2005 për t’u ballafaquar me këtë aktakuzë, popullit të Kosovës i kam thënë se ata mund t’i besojnë këtij procesi gjyqësor. Gjykata gjatë tërë procesit e ka shikuar me kujdes evidencën që prokuroria e ka sjellë përpara gjatë periudhës nëntë mujore, dhe ka konstatuar se akuzat e bëra ndaj meje dhe ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë qenë false.

Ky vendim e fuqizon Kosovën. Ne jemi ballafaquar me situata të vështira në rrugëtimin tonë pë liri i cili ka marrë shumë jetëra. Sot, ne jemi komb i lirë dhe sovran. Tani mund të ndërtojmë një shoqëri dinamike dhe të bashkuar e cila bazohet në sundim të ligjit dhe në respektim të të drejtave themelore për të gjithë qytetarët e Kosovës.

I shprehu falënderimet e mia më të sinqerta popullit të Kosovës dhe miqve të shumtë ndërkombëtar, për besimin e tyre dhe përkrahjen që ma kanë ofruar gjatë tri vjetëve të fundit.

Thellësisht ju falënderoj.
Ramush Haradinaj