Please enter at least 3 characters.

Hamza takohet me Prattipatin: Kushtetuta dhe ligjet janë vijat e kuqe të PDK-së

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, priti sot ushtruesen e detyrës së ambasadores së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.

Hamza tha se do të vazhdojë dialogun, bashkëpunimin dhe kompromisin politik, por theksoi se vijat e kuqe të PDK-së mbeten të qarta: Kushtetuta dhe ligjet e vendit. Ai theksoi se çdo veprim që i cenon këto është i papranueshëm, prandaj deputetët e PDK-së nuk morën pjesë në seancën e parë të Kuvendit.

“Sot fillova angazhimin tim të ri me partnerët strategjikë. SHBA-ja është aleati kryesor i Kosovës, dhe takimin e parë e zhvillova me ambasadoren Prattipati. PDK-ja është konstruktive dhe do të vazhdoj dialogun dhe bashkëpunimin. Vijat tona të kuqe janë të qarta: Kushtetuta dhe ligjet e vendit. Çdo veprim që i cenon këto është i papranueshëm, prandaj nuk morëm pjesë në seancën e parë të Kuvendit. Zgjedhjet e reja janë rruga për të dalë nga kriza, dhe e vlerësoj shumë mbështetjen e SHBA-së në proceset që po kalon vendi. Kosovës i duhet stabilitet, zhvillim ekonomik dhe partnerë të besueshëm”, shkroi Hamza.

Në një prononcim për media, menjëherë pas zgjedhjes së tij si kryetar i PDK-së, Bedri Hamza u pyet nga gazetarët nëse ekzistojnë vija të kuqe me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai u përgjigj se nuk ka vija të kuqe me asnjë parti. /Telegrafi/