Haaland shënon në kohën shtesë për t’ia dhuruar fitoren Borussia Dortmundit
Borussia Dortmund ka fituar ndaj Hoffenhaim me rezultat 3-2 në kuadër të javës së tretë të Bundesligas.
Pjesa e parë edhe pse kishte shumë raste, rrjetat heshtën, duke e lënë spektaklin për pjesën e dytë.
Në minutën e 49-të u hap ndeshja, ku Jude Bellingham asistoi te Giovanni Reyna, i cili me një goditje të bukur shënoi për 1-0.
Hoffenhaim nuk u dorëzua dhe radhiti rastet derisa e gjeti golin. Christoph Baumgartner shënoi një gol të bukur nga një kënd i vështirë për 1-1.
Në minutën e 69-të, Borussia ktheu epërsinë, ku Jude Bellingham shënoi me një goditje të fortë për 2-1.
Por Hoffenhaims sërish barazoi dhe atë në minutën e 90-të, me Munas Dabbur, i cili përfitoi mirë nga një asistim i Kevin Akpoguma (2-2).
Kur pritej që Dortmund të merrte vetëm një pikë nga kjo përballje, Erling Haaland doli në skenë, ku shënoi për 3-2, me një goditje të fuqishme nga afër.
Borussia Dortmund aktualisht ka 6 pikë pas tri ndeshjeve. /Telegrafi/


