Guvernatori Ismaili: BQK transferon afro 38 milionë euro për buxhetin e shtetit në tre vitet e fundit
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili njofton se BQK ka miratuar pasqyrat financiare vjetore për vitin 2025, të audituara nga auditori i jashtëm i pavarur me opinion të pastër, pa kualifikim, duke konfirmuar stabilitetin financiar, transparencën dhe standardet e larta të qeverisjes institucionale.
Në fokus të rezultateve financiare për vitin 2025, Guvernatori Ismaili ka veçuar kontributin e vazhdueshëm të BQK-së për financat publike, përmes ndarjes së të ardhurave për buxhetin e shtetit për të tretin vit radhazi.
Sipas rezultateve financiare, ai nëpërmjet një njoftimi tregon se BQK-ja ka realizuar të ardhura neto prej 24 milionë euro për vitin 2025, nga të cilat 12 milionë euro do të transferohen në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të alokohet në rezervat e përgjithshme të Bankës Qendrore, në përputhje me Ligjin për BQK-në.
Me këtë transferim, vlera totale e mjeteve të ndara nga BQK për buxhetin e shtetit gjatë tre viteve të fundit arrin në afro 38 milionë euro, duke reflektuar performancën e qëndrueshme financiare dhe menaxhimin e kujdesshëm institucional të BQK-së.
"Ky është viti i tretë radhazi që BQK ndan të ardhura për buxhetin e shtetit, duke e çuar vlerën totale të transferimeve në afër 38 milionë euro", thuhet në njoftimin e Guvernatorit Ismaili.
Tutje, ai theksoi se ky rezultat dëshmon përkushtimin e BQK-së ndaj stabilitetit financiar, llogaridhënies dhe mbështetjes së qëndrueshme për financat publike të vendit, krahas forcimit të rezervave dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të institucionit.
Në fund, ai vlerësoi se opinioni i pastër i auditorit të jashtëm përbën konfirmim të cilësisë së raportimit financiar dhe të standardeve të avancuara të transparencës dhe qeverisjes brenda BQK-së.


