Please enter at least 3 characters.

Guardiola largohet dhe Haaland trondit Man Cityn, norvegjezi nis të mendojë për largimin

Largimi i afërt i Pep Guardiolës nga pankina e Manchester Cityt pritet të shkaktojë një efekt të madh zinxhir në klub, duke vënë në pikëpyetje edhe të ardhmen e yllit kryesor të skuadrës, Erling Haaland.

Humbja e titullit të Ligës Premier ndaj Arsenalit ka përshpejtuar zhvillimet te kampionët anglezë.

Mediat britanike raportojnë se Guardiola do të largohet këtë verë pas një dekade historike në “Etihad”, ndërsa Enzo Maresca shihet si favorit për ta zëvendësuar atë.

Ky ndryshim i madh ka krijuar pasiguri edhe te disa prej figurave kryesore të skuadrës.

Mes tyre është edhe Haaland, i cili rinovoi kontratën deri në vitin 2034 kryesisht falë besimit të plotë që kishte te Guardiola.

Sulmuesi norvegjez ndihet i lumtur në Angli dhe një largim gjatë kësaj vere nuk merret fare në konsideratë.

Megjithatë, raportimet nga Spanja bëjnë të ditur se situata mund të ndryshojë në të ardhmen.

Sipas Mundo Deportivo, Haaland nuk përjashton mundësinë që nga vera e vitit 2027 të dëgjojë oferta nga klube të tjera.

25-vjeçari dëshiron të shohë me kujdes se si do të zhvillohet projekti i ri i Cityt pa Guardiolën përpara se të marrë një vendim përfundimtar mbi të ardhmen e tij.

Në klub ekziston frika se fundi i epokës Guardiola mund të dobësojë themelet e skuadrës, ndërsa stafi i ri teknik do të ketë një mision të vështirë për të bindur Haaland të vazhdojë të jetë lideri i projektit.

Vetë sulmuesi ka dhënë një mesazh të fortë pas mbylljes së sezonit, duke kërkuar reagim nga skuadra pas humbjes së titullit.

“Duhet të jemi të zemëruar. Duhet ta kemi atë uri për të fituar, sepse kjo nuk ishte në nivelin e duhur. Do të bëjmë gjithçka për ta rikthyer titullin sezonin e ardhshëm”, deklaroi Haaland. /Telegrafi/