Granit Rugova hedh kandidaturën për kryetar të KB Prishtinës
Ish basketbollisti Granit Rugova publikisht ka hedhur kandidaturën për kryetar të klubit Prishtina.
Gjatë ditës së diele, në mediat lokale u raportua se Bekë Berisha ka dhënë dorëheqje nga pozita e krytarit të Prishtinës, pozitë që e mori vetëm javën e kaluar.
Nuk ka vonuar shumë, dhe Rugova, që dikur ka mbrojtur fanellën e skuadrës më të trofeshme kosovare thotë se ka të gjitha “njohuritë, përvojën dhe energjinë për ta menaxhuar klubin”.
Për më shumë, lexoni postimin e tij të plotë pa ndërhyrje:
“Sot e ndiej obligim moral të marr përgjegjësi dhe ta shpreh haptas vullnetin tim për të kandiduar për pozitën e kryetarit të klubit të zemrës. Jo për ambicie personale, por sepse besoj se kam njohuritë, përvojën dhe energjinë për ta menaxhuar siç duhet klubin dhe, së bashku me PLISAT, qytetarët e Prishtinës dhe të gjithë dashamirët e tij, ta çojmë aty ku e meriton.
Prishtina ka qenë pjesë e pandashme e jetës sime që nga paslufta. Në këtë klub jam rritur si basketbollist, si sportist dhe si njeri. Kam përjetuar fitore, sfida dhe momente historike që më kanë mësuar çfarë do të thotë përgjegjësia ndaj fanellës dhe qytetit.
Pas karrierës si lojtar, e vazhdova kontributin tim në udhëheqjen e sportit në Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe më pas si Drejtor i Sportit në Komunën e Prishtinës. Kjo përvojë më ka dhënë një pamje të qartë se si duhet të udhëhiqet një klub i madh: me vizion, stabilitet dhe transparencë.
Prishtina nuk është thjesht një klub sportiv.
Është identitet i kryeqytetit.
Është krenari qytetare.
Kjo është një thirrje për bashkim.
Për punë të ndershme.
Për vizion të qartë.
Për Prishtinën.
Për kthimin në rrugën e fitoreve dhe kupave.
Bashkë mundemi dhe do t’ia dalim”, shkroi ai./Telegrafi


