Please enter at least 3 characters.

Gjykata Themelore në Mitrovicë dënon me dy vjet burgim të pandehurin për veprën penale “Kanosja”

Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, me gjyqtare të vetme gjykuese Shqipe Sejdiu, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit M.F., duke i shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy vitesh.

Sipas njoftimit të gjykatës, aktgjykimi është shpallur më 3 shkurt 2026 përmes video-incizimit, pasi i pandehuri ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.

M.F. është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë të datës 5 gusht 2024.

Ngjarja ka ndodhur më 3 qershor 2024, në banesën e përbashkët familjare në Mitrovicë, ku i pandehuri, nën ndikimin e alkoolit, ka kanosur seriozisht vajzën e tij, e cilësuar si viktimë e ndjeshme, duke i shkaktuar frikë dhe ankth për jetën dhe sigurinë e saj.

Po ashtu, në të njëjtën datë, kohë dhe vend, i pandehuri, nën ndikimin e alkoolit, me dashje dhe përmes fjalëve dhe veprimeve kërcënuese, ka kanosur edhe bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri për jetën e saj. /Telegrafi/