Gjykata rrëzon shumicën e padisë për sulm seksual ndaj frontmenit të Aerosmith, afati i parashkrimit ka skaduar
Pjesa më e madhe e padisë për sulm seksual të ngritur kundër Steven Tyler është hedhur poshtë. Procedurën ligjore ndaj frontmenit të Aerosmith e kishte nisur Julia Misley, e cila pretendon se këngëtari e ka “shfrytëzuar dhe manipuluar” kur ajo ishte adoleshente dhe se ai, sipas saj, i ka pranuar në mënyrë të tërthortë veprimet në kujtimet e tij “Does the Noise in My Head Bother You?”, ku e kishte quajtur atë pothuajse “nusen e tij adoleshente”.
Gjyqtarja Patricia A. Young vendosi të martën se shumica e pretendimeve në padi kanë rënë në parashkrim, sipas ligjeve të Massachusetts-it, ku Misley dhe Tyler kishin jetuar gjatë lidhjes së tyre trevjeçare. Megjithatë, gjyqtarja lejoi që çështja të vazhdojë për një episod të dyshuar seksual që thuhet se ka ndodhur gjatë një udhëtimi të shkurtër në Kaliforni, pasi atje, për shkak të rregullave të veçanta, nuk zbatohen të njëjtat kufizime kohore. Pjesa tjetër e padisë u rrëzua, raporton Billboard.
Avokati i Steven Tyler e quajti vendimin një “fitore të madhe”. David Long-Daniels deklaroi në një njoftim: “Kjo është një fitore e madhe për Steven Tyler. Gjykata sot e rrëzoi përfundimisht 99.9% të kërkesave në këtë padi kundër zotit Tyler. U vendos se në këtë çështje mund të mbetet vetëm një natë, nga më shumë se 50 vjet më parë, brenda një lidhjeje që zgjati tre vjet. Presim me interes gjyqin në këtë çështje më 31 gusht”.
Julia Misley e paditi Tylerin për herë të parë në vitin 2022, duke pretenduar se ajo është adoleshentja e paidentifikuar e përmendur në librin e tij. Ajo tha se Tyler e kishte përdorur famën për të marrë kontroll mbi jetën e saj, madje – sipas saj – duke nënshkruar me prindërit e saj një marrëveshje për të marrë kujdestarinë ligjore. Ajo e akuzoi se e kishte sulmuar seksualisht për tre vjet, duke nisur nga viti 1973, kur ajo ishte vetëm 16 vjeçe.
Nga ana tjetër, avokatët e rokerit 78-vjeçar këmbëngulën se bëhej fjalë për një “marrëdhënie romantike” me pëlqim, e cila sipas tyre ishte e ligjshme duke pasur parasysh moshën e pëlqimit. Gjyqtarja vlerësoi se kjo ka gjasa të jetë e vërtetë për Massachusetts-in, ku mosha ligjore e pëlqimit është 16 vjeç, por shtoi se, edhe nëse pretendimet e Misley do të konsideroheshin të bazuara, çështja është ngritur shumë vonë, pra jashtë afateve ligjore. /Telegrafi/


