Please enter at least 3 characters.

Gjykata Kushtetuese del me reagim: Komuna e Tetovës nuk dorëzoi dokumentacionet as pëlqimin e Qeverisë për riemërtimin e rrugëve

2023/04/Gjykata-Kushtetuese.png

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka dalë me reagim, pas vendimit për të shfuqizuar vendimin e vitit 2007 të Komunës së Tetovës për riemërtimin e rrugëve dhe shesheve.

Nga Gjykata thonë se vendimi është shfuqizuar pasi Komuna e Tetovës nuk dorëzoi dokumentacionet dhe pëlqimin e Qeverisë për riemërtimin e rrugëve.

"Më 17.06.2026, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi Vendimin për ndryshimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Komunën e Tetovës, Nr. 07-766/4 i datës 24.04.2007. Gjatë procedurës, për shkak të mosparaqitjes së plotë të dokumentacionit, Gjykata në katër raste kërkoi nga Komuna e Tetovës të paraqiste të gjithë dokumentacionin që i parapriu miratimit të vendimit të kontestuar. Megjithatë, Komuna nuk paraqiti as pëlqimin dhe as kërkesën për pëlqim që iu dërgua Qeverisë, por Listën e emrave të rrugëve dhe shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Komunën e Tetovës të miratuar më 30.11.2006".

"Për më tepër, Gjykata Kushtetuese në tre raste kërkoi nga Qeveria të paraqiste pëlqimin e kërkuar, por ai nuk u paraqit. Si rrjedhojë, nga shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur, u përcaktua se Komuna e Tetovës nuk ka paraqitur kërkesë në Qeveri për lëshimin e pëlqimit të nevojshëm, as një akt me të cilin Qeveria ka dhënë pëlqimin për Listë, në përputhje me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për Përcaktimin e Emrave të Rrugëve, Shesheve, Urave dhe Objekteve të Tjera Infrastrukturore, prandaj Gjykata përcaktoi se ky kërkesë ligjore nuk është përmbushur".

"Sipas nenit 5 paragrafi 2 të Ligjit për Përcaktimin e Emrave të Rrugëve, Shesheve, Urave dhe Objekteve të Tjera Infrastrukturore, një vendim për ndryshimin e emrave kërkon pëlqimin paraprak nga Qeveria. Duke miratuar Vendimin pa pëlqimin e nevojshëm nga Qeveria, Komuna e Tetovës shkeli parimin e sundimit të ligjit, të përcaktuar në nenin 8 paragrafi 1 rreshti 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për Përcaktimin e Emrave të Rrugëve, Shesheve, Urave dhe Objekteve të Tjera Infrastrukturore", thonë nga Gjykata Kushtetuese./Telegrafi/