Please enter at least 3 characters.

Gjithçka që ndodhi në ditën e seancës së Kuvendit për formimin e Qeverisë Kurti

2020/02/kuvendiiii8.jpg

Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan për Qeverinë Kurti, që ka dy zëvendëskryeministra, 15 ministra dhe 33 zëvendësministra.

Një ditë më parë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje, pas më shumë se dy muajsh nga certifikimi i rezultateve.

Sipas kësaj marrëveshje LVV do ta ketë pozitën e kryeministrit dhe gjashtë ministri dhe zëvendëskryeministrin e dytë, ndërkaq LDK do të ketë pozitën e kryetarit të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e parë dhe gjashtë ministri. Minoritetet do të kenë tri ministri. Për pozitën e presidentit do të diskutohet në kohën kur pritet zgjedhja e presidentit.

Telegrafi do t'ju mbajë të informuar për çdo gjë në kohë reale:

03/02/2020 19:55-Fjalët e para të Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës

03/02/2020 18:05-Kuvendi votoi Qeverinë Kurti, këta janë ministrat e LVV-LDK-së

Qeveria Kurti e votuar tashmë në Kuvendin e Kosovës ka dy zëvendëskryeministra, 15 ministra dhe 33 zëvendësministra.

Vetëvendosje do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Jashtme, atë të Drejtësisë, të Financave, të Ekonomisë, të Shëndetësisë dhe atë të Integrimeve Evropiane.

Kuvendi i Kosovës me 86 vota për dhe 10 abstenime e votoi Qeverinë e Re të Republikës të udhëhequr nga Albin Kurti.

Haki Abazi– Zëvendëskryeministër i dytë

Glauk Konjufca– Ministria e Punëve të Jashtme

Albulena Haxhiu– Ministria e Drejtësisë

Besnik Bislimi– Ministria e Financave

Rozeta Hajdari– Ministria e Ekonomisë

Arben Vitia– Ministria e Shëndetësisë

Blerim Reka– Ministria e Integrimeve Evropiane

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës do të udhëheqë me Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Punëve të Brendshme, atë të Mbrojtjes, Arsimit, Kulturës dhe të Bujqësisë.

Emrat e LDK-së për postet qeveritare janë:

Avdullah Hoti – Zv. kryeministër i parë

Lumir Abdixhiku – Ministër i Infrastrukturës

Agim Veliu – Ministër i Punëve të Brendshme

Anton Quni – Ministër i Mbrojtjes

Hikmete Bajrami – Ministre e Arsimit

Vlora Dumoshi – Ministre e Kulturës

Besian Mustafa – Ministër i Bujqësisë

Ndërsa, ministre nga radhët e minoriteteve jo serbe është Emilia Rexhepi që do të udhëheq Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, ndërsa nga minoritetet serbe janë Dalibor Jevtiq që do të udhëheq Ministrinë e Kthimit dhe Ivan Milojeviq që do të udhëheqë Ministrinë për Zhvillim Rajonal.

03/02/2020 17:38-Reçica: LVV dhe LDK nuk e kanë për qëllim qeverisjen e shtetit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, ka kritikuar mandatarin Albin Kurtin. 

Në fjalimin e tij në seancën ku pritet të votohet Qeveria Kurti, ai ka thënë se Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij qysh në fillim janë lodhur nga marrja e përgjegjësive.

"Albin shpejtë keni nis me u lodhë, se të ikën ushtarët. Kandidati për kryeministër Albin Kurti, në ekspozenë 20 minutëshe tha diçka që s'e kemi dëgjuar më parë. Kujt t’i besojmë Albin Kurtit që foli këtu, apo Albin Kurtit që ka vepruar për 10 vjet këtu. Kjo është shumë me rëndësi jo për hirë të qeverisë, jo për hir të Albin Kurtit, por për hir të së ardhmës. VV dhe LDK, pas 6 tetorit kanë zhagitur ", ka deklaruar Reçica.

Ai ka pohuar se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk e kanë për qëllim qeverisjen por gllabërimin e shtetit.

03/02/2020 17:10-Marrëveshja për bashkëqeverisje LVV-LDK, për presidentin do të merren vesh dy liderët me një akt të veçantë (Dokument)

Në dokumentin e marrëveshjes janë të përfshira pikat programore për fushën e arsimit, shëndetësisë, ekonomisë, kulturës, drejtësisë etj. DOKUMENTI I PLOTË

03/02/2020 17:10-Kuçi: Nëse Albin Kurti nuk e bën bashkimin kombëtar, njerëzit do ta humbin besimin e tij

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se nëse Albin Kurti nuk e bën bashkimin kombëtar sa është kryeministër, njerëzit do ta humbin besimin e tij.

Në seancën plenare për votimin e Qeverisë së re, Hajredin Kuçi u shpreh kritikues ndaj Kurtit duke e akuzuar për mashtrim karshi qytetarëve.

03/02/2020 16:58-Balje: Ende nuk kemi vendosur a do të votojmë Qeverinë Kurti

Derisa seanca plenare për votimin e qeverisë së re po vazhdon, deputetja e komunitetit boshnjak Duda Balje deklaroi se akoma nuk janë dakorduar se a do ta votojnë koalicionin LVV-LDK.

Balje tha se, kanë biseduar me grupet punuese të koalicionit dhe shpreson që shumë shpejt, do të vendosin se a do të votojnë pro apo kundër qeverisë së re.

“Ne 3 deputet të cilët nuk jemi në grupin parlamentar 6+ deri vonë kemi biseduar dhe shpresoj që shumë shpejt do të marrim vendim... Kemi biseduar me Vetëvendosjen para disa orëve edhe me LDK-në tash duhet me marr vendim, jemi shumë afër”, deklaroi Balje.

03/02/2020 16:23-Tahiri, Kurtit: Po mashtron masën me premtime

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka adresuar akuza ndaj kandidatit për kryeministër, Albin Kurti për të cilin tha se është një mashtrues që iu ka paraqitur popullit me premtime boshe.

Pas rifillimit të seancës plenare ku pritët të votohet Qeveria e re, ish ministri tha se koalicioni LVV-LDK është i pazareve dhe i territ.

03/02/2020 16:00-Vazhdon seanca, pritet votimi i Qeverisë Kurti

Pas pauzës një orëshe, deputetët e legjislaturës së shtatë janë rikthyer në sallë ku pritet votimi i Qeverisë.

Ndërkohë janë duke vazhduar ende diskutimet e deputetëve, ndërkaq pas përfundimit të këtyre diskutimeve do të hedhet për votim kabineti qeveritar.

Mandatari Kurti ka propozuar para deputetëve kabinetin e tij qeveritar, transmeton Telegrafi.

03/02/2020 14:59-Kuvendi shkon në pauzë

Me kërkesë të shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë prej një orëshe.

Ndryshe ende nuk është hedhur në votim kabineti qeveritar i propozuar nga mandatari për formimin e Qeverisë, Albin Kurti.

03/02/2020 14:56-Deputetëve u shpërndahet programi qeverisës

Administrata e Kuvendit të Kosovës ka shpërndarë për gjithë deputetët programin qeverisës.

Ndryshe, Kurti para deputetëve, ka paraqitur kabinetin e tij qeveritar me 15 ministri

03/02/2020 14:35-Pacolli: Unë do ta votoj Kurtin për kryeministër

​Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli tha se partia e tij do të jete konstruktive në këtë legjislaturë, dhe se do të jenë të pranishëm për të votuar gjithçka që është në të mirë të Kosovës.

Ai konfirmoi se do të qëndrojë në opozitë këtë mandat.

“Unë dhe njerëzit e mi asnjëherë nuk do ta lëshojmë sallën, kur votohet diçka e rëndësishme, ne do të jemi këtu. Unë do t’ju votoj juve. Ta shohim nga ardhmja, mos të kthehemi në të shkuarën. Jam dhe do të mbetëm pjesë e opozitës. Çdo pikë e programit tuaj do analizohet nga unë, do t’iu përballë me dështimet tuaja, nëse ato janë të arsyeshme. Kam qenë do të mbetëm konstruktiv dhe derisa të kryhet shtet ndërtimi i Kosovës do të mbetëm ashtu. Puna e mbarë ju qoftë”, theksoi Pacolli.

03/02/2020 14:07-Krasniqi: LVV-LDK koalicion i pazareve të pista, ëndrra e juaj është makthi i Kosovës

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, tha para deputetëve se koalicioni LVV-LDK është i pazareve të pista që synon ta bëjë kryeministër Albin Kurtin, I cili siç tha Krasniqi, krejt karrierën e vet politike e ka ndërtuar me mashtrime, manipulime dhe dhunë.

“Ai i sakrifikoi ata edhe kur i nxori në rrugë duke i gënjyer se Kosova kurrë s’do të bëhet shtet, por edhe kur i nxiste për të sulmuar institucionet e shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. Sot, pak më butë, i sakrifikon për t’u bërë Kryeministër, si puna e njeriut më të afërt të tij, Kurban Konjufcës. Sepse, për Albin Kurtin, asnjë çmim nuk është i lartë, nëse atij ia mundëson kapjen e pushtetit, për të cilin ka ëndërruar e ka vepruar me metodat më të pista tash e gati 15 vjet”, tha Krasniqi.

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi tha se ironia e madhe këtu është se paterica e Albin Kurtit që po e bën atë kryeministër sot është një parti (LDK) të cilën ai vet e luftoi në të gjitha mënyrat e mundshme.

Ai tha se koalicioni VV-LDK është i panatyrshëm i një partie të ekstremit të majtë me një parti që e quan vetën të qendrës së djathtë.

“Sot, juve vërtetë ju erdh dita, por Kosovës i erdhi nata. Sepse dita e juaj është nata e Kosovës. Drita e juaj është terri i Kosovës. Ëndrra e juaj është makthi i Kosovës. Ju do ta kapni pushtetin prej sot, por dijeni se në asnjë minut nuk do të jeni të qetë që të veproni pa dhënë llogari për çdo veprim tuajin. Opozita e këtij mandati do të jetë jo vetëm kontrolluesi, por edhe korrektuesi i juaj. Zoti e bekoftë Kosovën tonë dhe qytetarët e saj e për hajr na qoftë kjo dasmë”, tha Krasniqi.

03/02/2020 13:55-Deputetët diskutojnë në seancë, kritikojnë Kurtin se mashtroi qytetarët

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po debatojnë në seancën plenare ku pritet të votohet Qeveria Kurti.

Deputetët po kritikojnë Kurtin, duke thënë se mashtroi qytetarët.

Disa nga deputetët theksuan se Kurti duhet të kërkojë falje për të bëmat sa ishte opozitarë. Po ashtu theksuan se Kurti nuk e ndjen Kosovën, qeverinë e së cilës pretendon ta udhëheqë.

03/02/2020 13:16-Limaj: Kurti duhet ta ulë kokën dhe të fillojë të sillet si kryeministër i Kosovës

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se Albin Kurti duhet të fillojë të punojë si kryeministër i Kosovës.

“Sot është dita e parë e fillimit të funksionimit të institucioneve. Do të kemi kohë të mjaftueshme që secili ti mbrojmë qëllimet e veta”, ka thënë Limaj.

Limaj ka parashtruar disa sugjerime për kandidatin për kryeministër Albin Kurti.

“Disa sugjerime, kemi me pas kohë të mjaftueshme me kritiku, mu pajtu e mos mu pajtu. Albin Kurti duhet me ulë kokën, edhe me nis mu sjell si kryeministër i Kosovës, me ulë kokën edhe me nis me punu me ndrru traken e opozitarizmit, me punu si kryeministër i këtij vendi”, tha Limaj.

Ai shtoi se do ta duartrokasë çdo punë të mirë që do të bëhet për vendin.

03/02/2020 13:13-Demaliaj, Kurtit: Nëse e ke pas veç për pushtet, dil dhe pranoje

Shkumbin Demaliaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se nuk do ta votojnë Qeverinë Kurti.

Demaliaj ka përmendur disa nga premtimet e Kurtit dhe deklaratat e tij të dhëna gjatë karrierës.

“Albin ke rrejt. Kam me ta lexu një poezi në krejt legjislaturën. E pashë kabinetin, asnjë ministër nga Dukagjini as nga Drenica. Mos harro Kosova nuk është kaq e vogël. Nuk dua të ndërhyj në atë çka tha z.Veseli. Jemi kanë në një protestë bashkë, kur udhëheqke Isa Mustafa me PDK-në, kur ka qenë koha që krejt sheshi ka qenë duke thirrur “Isë, argat i Serbisë”. Nëse e ke pas veç për pushtet mundesh me dal e me pranu. Është një pjesë qysh u bashkove me listën e çetnikëve, qysh Albin u bane bashkë me ta. 1 milionë here ju kam thanë bre që është kushtetuese”,  u shpreh Demaliaj.

“Albin nuk e votojmë Qeverinë”, tha Demaliaj.

03/02/2020 12:57-Veseli: Koalicioni VV-LDK do jetë koalicion i pazareve, Albin Kurti nuk e njeh e as nuk e ndjen Republikën e Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalën e tij para deputeteve në seancën për zgjedhjen e Qeverisë, ka thënë se sot po synon të bëhet kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, i cili as nuk e njeh e as nuk e ndjen Republikën e Kosovës si shtet, prandaj sipas tij, Kurti nuk mendon as të jetojë në Kosovë.

03/02/2020 12:52-Kurti tregon se kush do të jetë në krye të ministrive

Glauk Konjufca (Ministria e Punëve të Jashtme), Albulena Haxhiu (Ministria e Drejtësisë), Besnik Bislimi (Ministria e Financave), Rozeta Hajdari (Ministria e Ekonomisë), Arben Vitia (Ministria e Shëndetësisë), Blerim Reka (Ministria e Integrimeve Evropiane), Lumir Abdixhiku (Ministër i Infrastrukturës), Agim Veliu (Ministër i Punëve të Brendshme), Anton Quni (Ministër i Mbrojtjes), Hikmete Bajrami (Ministre e Arsimit), Vlora Dumoshi (Ministre e Kulturës), Besian Mustafa (Ministër i Bujqësisë).

Ndërsa, ministre nga radhët e minoriteteve jo serbe është Emilia Rexhepi që do të udhëheq Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, ndërsa nga minoritetet serbe janë Dalibor Jevtiq që do të udhëheq Ministrinë e Kthimit dhe Ivan Milojeviq që do të udhëheqë Ministrinë për Zhvillim Rajonal.

03/02/2020 12:46-Kinolli: Do të jemi pjesë e Qeverisë

Shefi i Grupit Parlamentar 6+ Albert Kinolli, tha se do të jenë pjesë e Qeverisë, dhe do ta votojnë natyrisht edhe Qeverinë.

“Gjithnjë deri më tani kemi qenë pjesë e Qeverisë duke luajtur rol konstruktiv, si grup parlamentar 6+ do të jemi pjesë e Qeverisë në ardhje, me bindje të thellë dhe besim të madh që kërkesat e nevojat ton. Ne do t’i japim përkrahjen kësaj Qeverie”, tha Kinolli

03/02/2020 12:42-Shala: Qeveria Kurti, simbol i hipokrizisë politike

Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, tha se pret shumë nga qeveria e Albin Kurtin duke e quajtur këtë të fundit si simbol të hipokrizisë politike.

Ai ia përmendi kryeministrit në ardhje disa nga deklaratat e tij nga viti 2004, e deri më tani, përfshirë edhe bashkëpunimin me Listën Serbe, Gjykatën Speciale e Tarifën 100 %.

Po ashtu, i përmendi edhe numrin e ministrive i cili nga 12, u rrit në 15, duke thënë se kjo qeveri do të jetë afat-shkurt.

“Kosovën e presin sfida, edhe pse e vonuar është e mirëseardhur pas një seriali të gjatë. Të paktën tash qytetarët nuk do të jenë të detyruar të dëgjojnë ofendimet e juaja të bërë për njëri-tjetrin. Nëse do të mbaheni mend për diçka do të jetë për kohën e shkurt në dakordim të programit, e kohën e gjatë për ndarjen e posteve. Mandatari për kryeministër ndryshe ka thënë, ndryshe ka menduar, e ndryshe ka vepruar”, tha Shala.

“Do t’i gëzohemi secilit vendim të mirë të kësaj Qeverie, ne si opozitar do të luajmë rolin konstruktiv, por edhe do të kërkojmë llogari”, u shpreh Shala.

03/02/2020 12:37-AAK nuk përkrah Qeverinë Kurti, Haxhiu e Nagavci debatojnë për dorëheqjen e Konjufcës

Shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Teuta Haxhiu nuk e ka përkrahur Qeverinë Kurti, duke ia përmendur premtimet dhe fjalët që i tha para arritjes së marrëveshjes së koalicionit kryeministrit në ardhje, Albin Kurtit dhe disa prej deputetëve.

Në disa raste, nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci e cila po udhëheq seancën ia tërhoqi vëmendjen Haxhiut të mos dilte nga tema, por të koncentrohej në ekspozenë e Kurtit.

Por, Haxhiu ka vijuar me fjalën e saj duke thënë se Kurti e bëri kurban Konjufcën ashtu siç e bëri Isa Mustafa nënkryetaren e saj Vjosa Osmani.

03/02/2020 12:35-Gashi fton deputetët që të votojnë Qeverinë Kurti

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se programi qeverisës LVV-LDK është program i koordinuar.

Ai ka ftuar deputetët që ta votojnë këtë program dhe kabinetin qeveritar.

“E rëndësishme është që në këtë proces, ka pas një pjesëmarrje të madhe në zgjedhje, LDK-ja drejtoi një fushatë model dhe arriti të kemi një rezultat shumë të mirë, sot kemi një rezultat të koordinuar, duke filluar nga sundimi i ligjit, siguria, arsimi. Ky program i koordinuar e hartuar i dakorduar plotësisht nga LVV dhe LDK, në faqen finale ka qenë ndarja e përgjegjësive ka qenë faza finale e cila nuk është e lehtë por sot jemi para jush me një program të koordinuar dhe me një listë të ministrave shumë të mirë”, tha Gashi.

03/02/2020 12:28-Hamza: PDK ka qëndrimin e vet, programi qeverisës jo i besueshëm

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka folur për programin qeverisës që paraqiti mandatari për formimin e Qeverisë, Albin Kurti.

Hamza tha se nuk kanë besueshmëri ndaj këtij programi.

“Ne nuk kemi program dhe për programin nuk mundemi me diskutu detajshëm, përtej kësaj nuk e pamë as përbërjen e kabinetit të mandatarit të Qeverisjes së Vetëvendosjes, PDK-ja është e përgatitur për këtë seancë, dhe pas diskutimeve PDK-ja e ka qëndrimin e vet, në raport sesi do të votoj, për një arsye që mua personalisht dhe të gjithë deputetët që na bën mos me u votua është pa besueshmëria. Premtimet që u dhanë nuk ka ekonomist në këtë sallë dhe brenda kësaj salle mund me i akomodua në buxhetin 3 miliardë. Le të del një ekonomist që mundet me i ba këto premtime brenda buxhetit 3 miliardë atëherë unë do t’ia bëj shumë pyetje vetes”, tha Hamza.

03/02/2020 12:26-Kurti: Gjatë mandatit tonë buxheti do të arrin në 3 miliardë euro

Mandatari për formimin e qeverisë, Albin Kurti ka paraqitur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës planin qeverisës, duke thënë se buxheti i shtetit gjatë qeverisjes së tyre do të arrijë në 3 miliardë euro.

“Buxheti 3 miliardë euro, do të arrij gjatë mandatit tonë. Program nacional i kursimit 4-vjeçar përmes së cilit do të evitohen shpenzimet e luksit publik”, tha Kurti. /Telegrafi/

03/02/2020 12:21-Mulhaxha–Kollçaku: Të ecim përpara drejt fitoreve të reja

Fatmire Mulhaxha –Kollçaku në emër të Vetëvendosjes ka bërë thirrje për votimin e Qeverisë Kurti.

“Ajo çfarë ne si VV kishim për të thënë sot, në pjesën më të madhe u tha në ekspozenë e kryeministrit. Me këtë seancë solemne do tu drejtohem me një fjalë. Për herë të parë opozita ka fituar dhe ky është vullneti i qytetareve, sot kemi për të votuar Qeverinë Kurti dhe koalicionin, për besimin e qytetarëve. Derisa 6 tetorit i vitit 2019 tashmë do të jetë një datë e shënuar në historinë e Kosovës, ajo që na pret në vitin 2020 sepse fitorja jonë është mundësia që na është dhënë, ju falënderoj dhe ju ftoj që ta votojmë dhe të ecim përpara drejt fitoreve të reja”, tha Mulhaxha-Kollçaku.

03/02/2020 12:17-Ganimete Musliu ia vendos flamurin e Kosovës dhe atë kombëtar, Albin Kurti e falënderon

Deputetja  e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu është kujdesur që mandatarit për formimin e Qeverisë, Albin Kurti t’ia vendos flamurin e Kosovës.

03/02/2020 12:03-Kurti paraqet programin qeverisës: Do të jemi qeveri e kursimit të parasë publike

Mandatari për formimin e Qeverisë, Albin Kurti ka paraqitur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, planin qeverisës.

Kurti ka thënë se ky është një program që adreson secilën fushë dhe prek secilin qytetarë të Kosovës.

“Me këtë program do të jetësojmë premtimet e 6 tetorit, datë kjo që solli ndryshimin politik në vend. Do të jemi qeveri e kursimit të parasë publike, para meje do të jenë 15 ministra e jo 21 sa ishin, do të kemi 33 zv.ministra e jo mbi 80 sa ishin më herët”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se do të departizohen dhe depolitizohen agjensionet e ndërmarrjet publike.

03/02/2020 11:55-Glauk Konjufca nënshkruan dorëheqjen nga pozita e Kryeparlamentarit

Seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet të votohet ekzekutivi i ri, ka nisur me betimin e deputetëve të cilët nuk ishin prezent në seancën e parë të këtij legjislativi.

Dhe menjëherë, Glauk Konjufca i cili u zgjodh kryetar i Kuvendit në seancën e 26 dhjetorit, deklaroi se udhëheqjen e seancës ia kalon bashkëpartiakës së tij, nënkryetares së Kuvendit, Arbërie Nagavci.

03/02/2020 11:46-Nis seanca e Kuvendit, pritet votimi i Qeverisë Kurti

Ka nisur punimet seanca e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të votohet Qeveria e Kurti.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka bërë të ditur se të pranishëm në seancë janë 103 deputetë. Në fillim të kësaj seance janë betuar edhe nëntë deputetë të Kuvendit të cilët kishin munguar në seancën konstituive të Kuvendit më 26 dhjetor 2019.

03/02/2020 11:40-Deputetët e PDK-së arrijnë në seancë

Në Kuvendin e Kosovës tashmë kanë arritur edhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Seanca e cila është thënë se do të nis në orën 11:00 pritet të fillojë me vonesë.

Në këtë seancë pritet të votohet Qeveria Kurti.

03/02/2020 11:39-Albin Kurti arrin në Kuvend

Mandatari për formimin e Qeverisë, Albin Kurti ka arritur në sallën e Kuvendit.

Për pak pritet të fillojë seanca për votimin e Qeverisë Kurti.

03/02/2020 11:23-Kuvend, arrin edhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett

Ambasadori amerikan, Philip Kosnett do të jetë i pranishëm në seancën ku pritet të zgjidhet qeveria e re e Kosovës.

Ai është parë duke hyrë në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Para tij, kanë mbërritur në Kuvend edhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe ambasadori britanik, Nicholas Abbott.

03/02/2020 11:10-Fillon të mbushet salla e Kuvendit

03/02/2020 11:05-Zemaj: Do t’ia kthejmë dinjitetin Republikës dhe qytetarëve të saj

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë para mediave se sot presin që t’i krijojnë institucionet e Republikës së Kosovës.

Zemaj ka thënë se me këtë qeveri do t’ia kthejnë dinjitetin qytetarëve të Kosovës.

Rreth çështjes së kryetarit të Kuvendit, Zemaj ka thënë se e gjitha do të shkoj konfrom rregullave.

“Marrëveshja është politike, kryetari i kuvendit duhet të deklarohet për lirim të pozitës, gjithçka duhet të shkojë konfrom rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë Zemaj. /Telegrafi/

03/02/2020 10:53-Deputetët fillojnë të hynë në sallën e Kuvendit

Kanë mbetur edhe pak minuta para fillimi të seancës ku pritet të votohet Qeveria Kurti.

Tashmë në sallën e Kuvendit janë parë duke hyrë deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Fatmir Rexhepi, Valnetina Bunjaku-Rexhepi, Lumir Abdixhiku, Haxhi Avdyli dhe deputetë të tjerë janë të parët që kanë hyrë në sallën e Kuvendit. /Telegrafi/

03/02/2020 10:42-Deputetët e Listës serbe hyjnë në Kuvend

Edhe deputetët e Listës serbe kanë arritur në Kuvendin e Kosovës.

Zyrtarë të Listës serbe një ditë më parë kanë thënë se kanë vendosur të mos e përkrahin qeverinë Kurti.

03/02/2020 10:42-Grupi parlamentar i LVV-së para seancës së Kuvendit

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, deputete e grupit parlamentar të LVV-së ka publikuar një fotografi në Facebook ku shihet i gjithë grupi parlamentar dhe e ka përcjellë me mbishkrimin: "Gati për ditën e re!"

Foto: Mimoza Kusari/Facebook

03/02/2020 10:40-Kurti flet para fillimit të seancës: Do të zhvillojë takime përfundimtare me disa deputetë

Mandatari për formimin e Qeverisë, Albin Kurti pak para nisjes së seancës së Kuvendit të Kosovës ku pritet të votohet për Qeverinë e re të vendit, ka thënë se do të zhvillojë takime me disa deputetë sapo të arrij në Kuvend.

“Do ti zhvillojë takimet përfundimtare edhe me disa deputetë pasi që të shkojë në zyrën e Grupit Parlamentar të LVV-së”, u shpreh Kurti.

Kurti ka shtuar se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për seancë, dhe se synimi i tyre është që të zgjedhin një Qeveri e cila do të punoj mbarë e mirë.

03/02/2020 10:38-Vlora Dumoshi e konfirmon se është propozuar nga LDK-ja për ministre të Kulturës

Vlora Dumoshi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, para se të hynte në sallën e Kuvendit ku do të mbahet seanca për votimin e Qeverisë, ka folur para medieve duke konfirmuar se është propozuar nga partia e saj për postin e ministres së Kulturës, Rinisë e Sportit.

Dumoshi tha se presin që kjo Qeveri të punojë shumë për vendin.

“Sot e kemi votimin në Kuvendit presim që kjo Qeveri të punoj shumë për vendin, është e vërtetë që jam emëruar për postin e ministres së Kulturës dhe Sportit”, tha Dumoshi

03/02/2020 10:32-Në pritje të deputetëve, çdo gjë gati në sallën e Kuvendit

03/02/2020 10:29-Mbulim special nga RTV Dukagjini për votimin e Qeverisë Kurti

03/02/2020 10:14-Këta pritet të jenë ministrat e Qeverisë Kurti

Vetëvendosje do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Jashtme, atë të Drejtësisë, të Financave, të Ekonomisë, të Shëndetësisë dhe atë të Integrimeve Evropiane.

Haki Abazi– Zëvendëskryeministër

Glauk Konjufca– Ministria e Punëve të Jashtme

Albulena Haxhiu– Ministria e Drejtësisë

Besnik Bislimi– Ministria e Financave

Rozeta Hajdari– Ministria e Ekonomisë

Arben Vitia– Ministria e Shëndetësisë

Blerim Reka– Ministria e Integrimeve Evropiane

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës do të udhëheqë me Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Punëve të Brendshme, atë të Mbrojtjes, Arsimit, Kulturës dhe të Bujqësisë.

Emrat e LDK-së për postet qeveritare janë:

Avdullah Hoti – Zv. kryeministër i parë

Lumir Abdixhiku – Ministër i Infrastrukturës

Agim Veliu – Ministër i Punëve të Brendshme

Anton Quni – Ministër i Mbrojtjes

Hikmete Bajrami – Ministre e Arsimit

Vlora Dumoshi – Ministre e Kulturës

Besian Mustafa – Ministër i Bujqësisë

Në Qeveri parashihet të jenë edhe tre ministra nga radhët e minoriteteve./Telegrafi/