Gjini e refuzon Kurtin: Aleanca nuk sheh nevojë për takim, kushtet për zhbllokimin e institucioneve mbeten të njëjta
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka bërë publike përgjigjen që ia ka dërguar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, pas ftesës së këtij të fundit për takim lidhur me krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve.
Përmes një postimi, Gjini ka bërë të ditur se AAK nuk e sheh të nevojshëm mbajtjen e një takimi, duke theksuar se qëndrimi i partisë mbetet i pandryshuar.
Sipas tij, Aleanca është e gatshme të ndihmojë në zhbllokimin e procesit të konstituimit të institucioneve vetëm nëse mandatari për kryeministër pranon gjashtë kushtet e paraqitura më herët nga AAK.
“Për hir të transparencës ndaj qytetarëve, po e ndaj me ju përgjigjen zyrtare të Aleancës që sapo i është nisur kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti. Qëndrimi ynë mbetet ai i datës 26 qershor, i qartë, parimor dhe tërësisht publik”, ka shkruar Gjini.
Ai ka ritheksuar se nuk ka nevojë për një takim të ri, pasi kërkesa e AAK-së në këmbim të sigurimit të kuorumit mbetet e njëjtë dhe lidhet me pranimin e gjashtë kushteve të vendosura nga Aleanca për formimin e institucioneve.
Ndryshe nga Aleanca, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka pranuar takimin me Kurtin. Ndërsa LDK-ja ende nuk ka konfirmim zyrtar./Telegrafi.


