Please enter at least 3 characters.

Gjiganti londinez e bën prioritet transferimin e Fisnik Asllanit - skautët e tyre e ndoqën disa ndeshje

Chelsea synon ta transferojë Fisnik Asllani në “Stamford Bridge” gjatë afatit kalimtar të verës, sipas raportimeve nga Fussball Daten.

Sulmuesi 23-vjeçar është pjesë e Hoffenheim që nga viti 2020 dhe ka kontratë deri në verën e vitit 2029. Kryesisht qendërsulmues, ai mund të aktivizohet edhe si sulmues i dytë, në krahë apo si mesfushor ofensivë.

Deri më tani këtë sezon, reprezentuesi i Kosovës ka realizuar tetë gola dhe ka dhënë shtatë asiste në 25 paraqitje në Bundesliga.

Sipas medias gjermane, Chelsea e sheh Asllanin si një sulmues të kompletuar, që jo vetëm finalizon, por edhe zbret thellë për të lidhur lojën, një profil që i ka munguar skuadrës londineze.

telegrafi.com

Madje, departamenti i skautimit të klubit thuhet se ka përpiluar një dosje prioritare për të.

Nëse “Blutë” vendosin të lëvizin konkretisht, marrëveshja mund të jetë e arritshme, pasi kontrata e tij përfshin një klauzolë lirimi prej 30 milionë eurosh.

Interes për Asllanin ka shfaqur edhe Tottenham Hotspur, ku e ardhmja e trajnerit Igor Tudor mund të ndikojë në strategjinë e merkatos, si dhe Aston Villa e drejtuar nga Unai Emery, që kërkon përforcime në repartin ofensivë.

Ndërkohë, Bayern Munich po e monitoron situatën, por sipas raportit, “klubi i ëndrrave të fëmijërisë” së Asllanit është Barcelona.

Kampionët në fuqi të Spanjës janë në kërkim të një zëvendësuesi afatgjatë për Robert Lewandowski, dhe profili i Asllanit shihet si i përshtatshëm për projektin e tyre. /Telegrafi/