Gjermania dërgon një ambasadore me përvojë në Beograd - vjen nga Moska dhe flet 6 gjuhë, përfshirë shqipen
Gjermania ka emëruar së fundi diplomaten e njohur Anke Holstein si ambasadore të re në Serbi. Këtë javë ajo i dorëzoi letrat kredenciale te presidenti i Serbisë.
Holstein ka një karrierë të gjatë si diplomate në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Lindore, ndërsa mes gjashtë gjuhëve të huaja që flet rrjedhshëm përfshihet edhe gjuha shqipe.
Lidhja e Anke Holstein me Ballkanin Perëndimor është e hershme dhe e konsoliduar. Pas angazhimeve të para në shërbimin diplomatik në Bonn dhe Bruksel gjatë viteve '90, ajo shërbeu në Sarajevë nga viti 1998 deri më 2001.
Më vonë, ajo ishte ambasadore në Slloveni dhe zëvendësambasadore në Tiranë nga viti 2014 deri më 2018, ku u njoh afër me realitetin shqiptar, ndërsa gjatë periudhës 2020-2022 shërbeu si ambasadore e Gjermanisë në Maqedoninë e Veriut. Pastaj ishte zëvendësambasadore në Moskë.
Në Beograd vjen nga kryeqyteti rus.
Përveç angazhimeve të saj në kryeqytetet rajonale, Holstein ka mbajtur pozicione me peshë drejtuese në Ministrinë e Jashtme në Berlin, si dhe në Bruksel pranë Komisionit Evropian.
Para se të merrte detyrën e re në Beograd, diplomatja mbante një nga pozicionet më sfiduese të diplomacisë gjermane, duke shërbyer në Ambasadën e Gjermanisë në Moskë si ministre-këshilltare dhe së fundmi si e ngarkuar me punë.
E lindur në Gera të Gjermanisë lindore dhe e diplomuar për Filologji Romane në Universitetin e Leipzigut, Holstein njihet për përgatitjen e saj të lartë gjuhësore. Përveç gjermanishtes, ajo flet rrjedhshëm anglisht, frëngjisht, rusisht, sllovenisht, serbo-kroatisht, si dhe gjuhën shqipe.


