Please enter at least 3 characters.

Gjashtë fëmijë dhe dy të rritur gjenden të vdekur pas një zjarri “të dyshimtë” në një shtëpi në Michigan

Tetë persona, përfshirë gjashtë fëmijë, u gjetën të vdekur pas një zjarri në një shtëpi në shtetin amerikan të Michiganit. Autoritetet thanë se disa prej viktimave kishin plagë të shkaktuara nga armët e zjarrit.

Policia dhe zjarrfikësit u thirrën pak para mesditës në një banesë në Grand Haven Township, në bregun lindor të liqenit Michigan. Pasi hynë në shtëpinë e përfshirë nga flakët, ekipet gjetën trupat e viktimave brenda.

Kapiteni Jacob Sparks nga Zyra e Sherifit të Qarkut Ottawa tha se hetimi është ende në fazat e para dhe se skena është "e ndërlikuar".

Fëmijët e viktimave ishin të moshës nga 5 deri në 15 vjeç, ndërsa identifikimi zyrtar i të gjithë viktimave ende nuk ka përfunduar, shkruan ap.

- YouTubewww.youtube.com

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur se sa prej viktimave kishin plagë plumbash, ndërsa shkaqet zyrtare të vdekjes pritet të përcaktohen pas autopsive.

Hetuesit e kanë cilësuar zjarrin si të dyshimtë dhe po shqyrtojnë mundësinë që ai të jetë shkaktuar qëllimisht.

Një nga pistat që po hetohet është edhe mundësia e vrasjeve me paramendim, ndërsa policia nuk është në kërkim të ndonjë të dyshuari jashtë banesës.

Hetuesit e zjarrvënieve nga Policia e Shtetit të Michiganit janë përfshirë në hetim për të përcaktuar rrethanat e tragjedisë. /Telegrafi/