Please enter at least 3 characters.

Gërxhaliu: Projekti “The Prishtina Film City” rrezikon të dështojë, humbin mbi 3 mijë vende pune

Ekonomisti dhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka ngritur shqetësime lidhur me fatin e projektit “The Prishtina Film City”, duke vlerësuar se ai po përballet me rrezik serioz për dështim në Kosovë.

Në një analizë të publikuar, Gërxhaliu ka theksuar se ky projekt nuk është vetëm një ide zhvillimore, por edhe një test për mënyrën se si vendi trajton investimet e huaja.

“Rasti i projektit ‘The Prishtina Film City’ nuk është vetëm një projekt i madh në letër, por një test i qartë për mënyrën se si Kosova i trajton investimet e huaja dhe idetë transformuese zhvillimore”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, projekti parasheh ndërtimin e një kompleksi prej 65 hektarësh në Prishtinë, me studio filmike dhe infrastrukturë të modeluar sipas industrisë amerikane të filmit.

“Nëse do të realizohej, ky projekt do ta poziciononte Kosovën në hartën globale të industrisë kreative”, ka theksuar Gërxhaliu.

Ai ka përmendur edhe ndikimin potencial në punësim, duke theksuar se projekti parashikon rreth 3 mijë vende pune direkte.

“Në një ekonomi si Kosova, ku papunësia e të rinjve mbetet sfidë strukturore, një impakt i tillë do të ishte i rëndësishëm, nëse shifrat do të shoqëroheshin me plan real implementimi”, është shprehur ai.

Sa i përket aspektit financiar, Gërxhaliu ka bërë të ditur se investimi i parashikuar arrin në rreth 150 milionë euro, me potencial për të gjeneruar të ardhura të konsiderueshme vjetore.

“Nëse këto projeksione do të ishin të mbështetura në studime serioze fizibiliteti dhe kontrata reale investimi, atëherë do të flisnim për një nga projektet më transformuese në rajon”, ka shtuar ai.

Megjithatë, ai ka ngritur dilema për kapacitetin institucional të vendit për ta realizuar një projekt të tillë.

“Pa studim të pavarur fizibiliteti, siguri të investitorëve dhe kornizë të qartë implementimi, çdo projekt i tillë rrezikon të mbetet në nivel koncepti”, ka theksuar Gërxhaliu.

Sipas tij, mungesa e dinamikës dhe seriozitetit në proces ka krijuar pasiguri te investitorët potencialë, pavarësisht se projekti ishte premtuar nga autoritetet komunale.

“Nëse kemi arritur në një situatë ku projekte të nivelit ‘Hollywood’ nuk arrijnë të kalojnë filtrin e realizueshmërisë në Kosovë, atëherë sfida nuk është mungesa e investitorëve, por mungesa e besimit dhe kapacitetit institucional për t’i absorbuar ato”, ka deklaruar ai.

Gërxhaliu ka theksuar edhe rëndësinë e diplomacisë kulturore dhe potencialin që ka Kosova në këtë drejtim, duke përmendur vizitat e figurave të njohura ndërkombëtare, si Gérard Depardieu, Maria Grazia Cucinotta, Tony Robinson, William Baldwin, Denis O'Hare dhe Louis Mandylor.

“Zhvillimi ekonomik nuk matet me madhësinë e projekteve në letër, por me aftësinë për t’i kthyer ato në realitet të qëndrueshëm”, ka përfunduar ai, duke shtuar se projekti mund të realizohet, por rrezikon të mos ndodhë në Kosovë. /Telegrafi/