Gati 200 dronë godasin Moskën, sulmi më i madh ukrainas që nga fillimi i luftës
Moska është përballur me sulmin më të madh ukrainas që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë, me gati 200 dronë që goditën objektiva rreth kryeqytetit rus.
Shtatëmbëdhjetë persona u plagosën në rajonin e Moskës, sipas guvernatorit lokal Andrei Vorobyov.
Në lidhje me sulmin ka reaguar edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Nëse Putini nuk dëshiron ta përfundojë këtë luftë dhe dëshiron ta vazhdojë atë, ne nuk do të rrimë të qetë, do të përgjigjemi”, tha Zelensky.
“Nëse Ukraina digjet, do të digjet edhe Moska”, shtoi ai.
Katër aeroportet e Moskës u mbyllën përkohësisht dhe më shumë se 500 fluturime u anuluan ose u vonuan.
Sulmet me dronë ndaj Moskës - rreth 500 km nga kufiri ukrainas - janë bërë më të shpeshta ndërsa Kievi ka zhvilluar aftësitë e tij me rreze të gjatë veprimi.
Sulmet e para të suksesshme me dronë të Ukrainës arritën në kryeqytetin rus në pranverën e vitit 2023, megjithëse ato ishin sporadike dhe rrallë përfshinin më shumë se një grusht dronësh.
Që atëherë, rreth Moskës janë ngritur mbrojtje të gjera ajrore - por numri i dronëve të përdorur nga Ukraina në sulmet e saj është shumëfishuar gjithashtu dhe disa prej tyre kanë depërtuar në ato mbrojtje. /Telegrafi/


