Garnacho pajtohet të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me Unitedin
Alejandro Garnacho thuhet të ketë arritur marrëveshje me Manchester Unitedin për të nënshkruar kontratë pesëvjeçare dhe kjo tregon rëndësinë që ka për klubin.
Më herët është raportuar se 18-vjeçari nuk do ta vazhdojë kontratën, e cila do të skadojë në vitin 2024. Kjo situatë i kishte alarmuar klubet, si Real Madridi, të cilët janë të interesuar për shërbimet e tij.
Megjithatë, ESPN bën të ditur se futbollisti tashmë ka arritur marrëveshje verbale me Djajtë e Kuq për ta vazhduar qëndrimin deri në vitin 2028.
Kanë mbetur të zgjidhen edhe disa detaje para se të kompletohet kontrata, por anësori është i gatshëm ta vazhdojë karrierën në Old Trafford.
Me kontratën e re, Garnacho do të ketë rritje në pagë për ta vlerësuar detyrën që e kryen në skuadrën e Erik ten Hag. /Telegrafi/


