Please enter at least 3 characters.

Galatasaray e gjen edhe një “agjent” për ta bindur Rafael Leaon

Galatasaray po shton përpjekjet për transferimin e Rafael Leaos nga Milani, ndërsa në operacion mund të luajë rol edhe ish-sulmuesi i Napolit, Victor Osimhen.

Sipas raportimeve nga Italia, reprezentuesi portugez kishte bërë të ditur disa herë gjatë verës se ishte i gatshëm të largohej nga “San Siro”, duke konsideruar se cikli i tij me kuqezinjtë kishte përfunduar.

Edhe Milani nuk ishte kundër largimit të 27-vjeçarit, por vendosi një kusht të qartë: vetëm shitje përfundimtare. Klubi italian kërkon 50 milionë euro plus 10 milionë euro bonuse, duke refuzuar çdo formulë huazimi.

Edhe pse Fenerbahçe dhe Besiktasi kanë shfaqur interes për Leaon, Galatasaray është skuadra që po insiston më së shumti për ta transferuar yllin portugez.

Sipas MilanNews, kampioni turk i ka paraqitur Leaos një ofertë shumë tërheqëse financiare, duke i ofruar gjithashtu mundësinë për të luajtur në Ligën e Kampionëve përkrah Victor Osimhen.

Ndërkohë, ekspertët e transferimeve Fabrizio Romano dhe Matteo Moretto kanë konfirmuar se Galatasaray po punon intensivisht për të nisur bisedimet me futbollistin.

Leao raportohet se e sheh Galatasarayn si opsion më tërheqës sesa klubet e tjera turke, kryesisht për shkak të pjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve. Një faktor shtesë është edhe miqësia e tij me Osimhen, i cili mund ta bindë për një aventurë të re në futbollin turk.

Megjithatë, pengesa kryesore mbetet qëndrimi i Milanit. Klubi italian nuk pranon huazim dhe kërkon një marrëveshje që arrin në total 60 milionë euro.

Nga ana tjetër, situata nuk është plotësisht e qartë, pasi Leao ndodhet aktualisht në Perth me Milanin për fazën përgatitore dhe thuhet se është bërë më pak i bindur për t'u larguar pas emërimit të Ruben Amorimit në krye të skuadrës./Telegrafi/