Please enter at least 3 characters.

Gabriel Jesus flet i emocionuar pas paraqitjes spektakolare ndaj Interit

Gabriel Jesus ishte heroi i Arsenalit, duke realizuar dy gola në fitoren 3:1 në udhëtim ndaj Interit, në një mbrëmje të paharrueshme në “Giuseppe Meazza”.

Ylli brazilian, i cili ka kaluar një periudhë të vështirë për shkak të lëndimeve, nuk i fshehu emocionet pas paraqitjes së shkëlqyer dhe golave të shënuar në një nga stadiumet më ikonike të futbollit evropian.

“Është një natë ëndrrash. Gjithmonë kam ëndërruar të bëhem futbollist. Kur isha fëmijë, e shikoja shumë Serie A. Të jem këtu në këtë stadium dhe të shënoj është diçka që më mbush sytë me lot, sepse gjithmonë kam ëndërruar të jem këtu”, u shpreh Gabriel Jesus.

Braziliani foli edhe për periudhën e gjatë jashtë fushës.

“Gjithmonë ka një arsye pse ndodhin gjërat, qofshin të mira apo të vështira. Këtë e kam mësuar gjatë 11 muajve që kam qenë jashtë fushës”.

Duke analizuar ndeshjen, ai tha se është gjithmonë vështirë të përballesh me Interin dhe se morën tre pikë të merituara.

“Është gjithmonë e vështirë të luash kundër Interit. Sezonin e kaluar humbëm këtu. Sonte luajtëm më mirë se ata, e kontrolluam lojën, edhe pse Interi është një ekip i shkëlqyer dhe shumë i rrezikshëm në sulm. Shënuam në fund dhe morëm tre pikët. Duhet të vazhdojmë, sepse kemi një tjetër ndeshje në fundjavë”.

Jesus komentoi edhe konkurrencën në repartin ofensivë te Arsenali.

“Të gjithë duan të jenë titullarë. Unë jam një djalë shumë i respektueshëm dhe e kuptoj futbollin, nuk jam më fëmijë, jam 28 vjeç. Jam shumë i lumtur që Gyokeres hyri dhe shënoi gol, po aq sa jam i lumtur për golat e mi. Jam i bindur se edhe Kai do të shënojë kur t’i vijë momenti”.

Ky dygolësh mund të shënojë fillimin e rikthimit të vërtetë të Gabriel Jesus pas një mungese të gjatë për shkak të lëndimit, duke e bërë atë një faktor të rëndësishëm në garën e Arsenalit për titull.

Në të njëjtën kohë, edhe Viktor Gyokeres realizoi gol të martën mbrëma, ndërsa Kai Havertz po rikthen gradualisht formën, duke krijuar një konkurrencë të fortë dhe të shëndetshme në repartin ofensiv të “Topçinjve”./Telegrafi/