Please enter at least 3 characters.

Fushë Kosova nën ujë, Prebreza paralajmëron masa ligjore ndaj disa zyrtarëve

Kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza ka reaguar me tone të ashpra ndaj disa zyrtarëve komunale të Fushë Kosovës, duke i akuzuar për mospërgjigje dhe mosveprim në situatën e rënduar të krijuar nga reshjet e mëdha dhe vërshimet.

Në një reagim publik, Prebreza tha se shumë familje në Fushë Kosovë po përballen me probleme serioze nga uji i grumbulluar, ndërsa institucionet nuk po i përgjigjen thirrjeve të qytetarëve.

“Askush nga zyrtarët e Komunës së Fushë Kosovës nuk po i’u përgjigjen qytetarëve për të ndërmarrë veprime që u'a lehtësojnë situatën. Kjo është një papërgjegjësi totale e cila nuk do të kalojë pa ndëshkime ligjore,” ka deklaruar ai, duke theksuar se situata është tejet e rëndë dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Ai i apeloi të gjitha familjeve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë orëve dhe ditëve në vijim, si dhe i kërkoi operatorëve të kontraktuar nga komuna që të reagojnë menjëherë për t’i ndihmuar banorët në zonat më të prekura.

Situata me reshjet dhe vërshimet ka shkaktuar shqetësim të madh në disa komuna të vendit, ndërsa qytetarët kërkojnë reagim më të shpejtë nga institucionet lokale dhe qendrore. /Telegrafi/