Fushat sintetike po rrisin lëndimet te fëmijët dhe futbollistët? Flet Skifter Ymeri
Lëndimet në futboll, veçanërisht ato që lidhen me gjurin dhe shputën, janë ndër shqetësimet më të shpeshta me të cilat përballen sportistët, por edhe fëmijët që ushtrojnë në akademi sportive.
Për këtë temë ka folur fizioterapeuti Skifter Ymeri, gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit Kubati.
I pyetur se cilat janë lëndimet më të zakonshme që ndodhin në fushë, Ymeri tha se ato mund të jenë të ndryshme, por sipas tij, më të shpeshtat janë lëndimet e gjurit.
“Lëndime ka të ndryshme, por siç po e shikojmë, lëndimet më të shpeshta janë të gjurit”, tha ai.
Sipas Ymerit, një nga arsyet kryesore që po ndikon në rritjen e këtyre lëndimeve në Kosovë është përdorimi i fushave sintetike.
“Sot në Kosovë arsyeja kryesore janë fushat sintetike”, u shpreh ai.
Ai theksoi se, edhe pse ka faktorë të ndryshëm që mund të ndikojnë në lëndimet e futbollistëve, fushat sintetike janë ndër arsyet më të mëdha, sidomos për shkak se fushat me bar natyral janë larguar në masë të madhe.
“Ka edhe arsye të ndryshme, por kjo është një nga arsyet më të mëdha, që fushat janë sintetike dhe janë larguar fushat me bar natyral”, tha Imeri.
Fizioterapeuti shtoi se dikur fushat me bar natyral kanë qenë më të pranishme, ndërsa sot një pjesë e madhe e akademive dhe fëmijëve ushtrojnë në fusha sintetike.
Sipas tij, kjo ka bërë që fëmijët dhe futbollistët të përballen me probleme të cilat më parë nuk kanë qenë aq të pranishme.
“Afërsisht fushat ku ushtrojnë edhe akademitë edhe fëmijët janë fusha sintetike dhe kjo po bën që fëmijët dhe futbollistët në përgjithësi të kenë probleme të ndryshme, të cilat më parë nuk kanë qenë prezente”, tha ai.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":


