Please enter at least 3 characters.

Furgoni me punëtorë del nga rruga në Vlorë - humb jetën 52-vjeçari, katër të tjerë të lënduar

Një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur në një aksident të rëndë, të regjistruar rreth orës 06:10 të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Dukat–Orikum, në zonën e Fushë-Dukatit.

Sipas të dhënave paraprake, një furgon që transportonte punëtorë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor. Dyshohet se punëtorët ishin nisur nga Tirana drejt bregdetit.

Sicc raporton korrespondenti i Top Channel në Vlorë, Mikel Marsi, shkak i aksidentit mund të ketë qenë përgjumja e drejtuesit të mjetit ose një arrest kardiak. Rrethanat e plota pritet të sqarohen nga hetimet.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën Ilir Haka, 52 vjeç. Të plagosur kanë mbetur Saimir Haka, 22 vjeç, Qazim Haka, 44 vjeç, Sako Rexha, rreth 22 vjeç, si dhe një tjetër person, ende i paidentifikuar.

Për shkak të deformimit të mjetit, u desh ndërhyrja e zjarrfikësve, të cilët prenë pjesë të sediljeve për të nxjerrë të plagosurit, të cilët kishin mbetur të bllokuar mes llamarinave dhe hekurave të furgonit, që kishte përfunduar pjesërisht i përmbysur në kanal.

Të plagosurit u transportuan me autoambulanca drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa trupi i viktimës u dërgua në morgun e spitalit.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. /TCH/