Fitorja e AfD-së në Saksoni-Anhalt, influencuesi serb e lidh rezultatin me narrativat e ekstremit të djathtë serb
Fitorja bindëse e Alternativës për Gjermaninë (AfD) në zgjedhjet për parlamentin e landit Saksoni-Anhalt po gjen jehonë edhe në qarqet e ekstremit të djathtë serb, ku rezultati i partisë gjermane po lidhet me tema nacionaliste, përfshirë kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.
Sipas sondazheve të daljes nga votimet, AfD ka marrë 44.5 për qind të votave, duke dalë bindshëm forca e parë politike në këtë land të Gjermanisë Lindore.
Rezultati është mirëpritur edhe nga influencuesi serb i ekstremit të djathtë, Mario Bojiq, i njohur për shpërndarjen e teorive konspirative dhe përmbajtjeve pro-ruse.
Bojiq e ka promovuar AfD-në te publiku serb duke e paraqitur atë si një forcë politike që, sipas tij, mbron disa nga kauzat kryesore të nacionalizmit serb.
Në qendër të mesazhit të tij është Kosova.
Në një postim në platformën X, ai ka renditur disa qëndrime që ia atribuon AfD-së në raport me Serbinë, duke vendosur në krye propagandën e zakonshme serbe, “Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë”.
Në këtë mënyrë, rezultati elektoral i AfD-së nuk paraqitet prej tij vetëm si zhvillim i brendshëm politik në Gjermani, por lidhet drejtpërdrejt me narrativat e ekstremit të djathtë serb për Kosovën, NATO-n dhe marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Serbisë.
Bojiq pretendon se AfD-ja kërkon gjithashtu që Gjermania të kërkojë falje për pjesëmarrjen në fushatën ajrore të NATO-s më 1999.
“Duhet t'i afrojmë popujt serb dhe gjerman, në mënyrë që të dy kombet të mund të mbijetojnë”, është një tjetër deklaratë që ai ia atribuon partisë gjermane.
Sipas tij, “Gjermania dhe Serbia duhet të punojnë së bashku për një kontinent evropian të sigurt dhe të prosperuar”.
Ai e ka cilësuar AfD-në edhe si “mbështetjen më të madhe që Serbia dhe populli serb kanë në Evropë”.
Ky promovim tregon se rritja e AfD-së po shfrytëzohet nga figura të ekstremit të djathtë serb për të fuqizuar narrativa që lidhen me mosnjohjen e Kosovës, kundërshtimin e ndërhyrjes së NATO-s më 1999 dhe afrimin politik mes qarqeve nacionaliste serbe dhe së djathtës radikale evropiane.
🚨🇩🇪 Massive AfD victory in Saxony-Anhalt is not just a change in one German state.
This victory will trigger a wave of change across Germany until the AfD takes power across the entire country.
At the same time, patriotic parties across Europe will gain even more popularity.… pic.twitter.com/NCmfGxVsbm
— Mario ZNA (@MarioBojic) September 6, 2026
🇩🇪 AfD on Serbia:
1. "We must bring the Serbian and German peoples closer together so that both nations can survive."
2. "Kosovo is an inseparable part of Serbia."
3. "Germany should apologize for its participation in the NATO bombing."
4. "Germany and Serbia have to work… pic.twitter.com/e18XxfJptE
— Mario ZNA (@MarioBojic) September 5, 2026


