Please enter at least 3 characters.

Finalja e dyshimtë

2016/01/finalja-e-dyshimt-euml_hd.jpg

Ndeshja e dytë finale e “Play-Off-it” ndërmjet Pejës dhe Sigal Prishtinës, e zhvilluar të enjten mbrëma, ka nxjerrë dyshime mbi “Fair-Play-n” e serisë së ndeshjeve vendimtare për titull të kampionit, shkruan sot e përditshmja "Zëri".

Në fakt, çereku i parë i lojës, i cili u mbyll me rezultat 31:7 për Pejën, e cila në fund e mposhti me rezultat përfundimtar 80:72 Sigal Prishtinën, nga e cila vetëm pak ditë më herët ishte mundur bindshëm në kryeqytet, ka bërë që dikush të mos e kuptojë ndryshimin e madh të njërit ekip përballë tjetrit, brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore.

Masar Nixha është njëri ndër ta. Gazeta Zëri shkruan se Profesori thotë se në sport gjithçka mund të ndodhë, madje edhe ndryshimet e tilla, të shpejta e të theksueshme. Por, thotë se çdo njeri ka të drejtë të dyshojë edhe rreth mundësisë që Sigal Prishtina të mos e ketë kërkuar fitoren me ngulm, me qëllim që të zhvillohen sa më shumë ndeshje finale, pasi ka përparësinë e terrenit, dhe mund të ketë bërë llogari të mira të aspektit financiar. “Të gjithë jemi befasuar. Në çerekun e parë Prishtina humbiste me mbi 20 pikë diferencë. Ndoshta nuk kanë qenë të papërgatitur psiqikisht. Pastaj në sport nganjëherë nuk është dita e një ekip, thjeshtë nuk shkon shuti, kurse për tjetrin ekip është ditë e mirë”, thotë Nixha për “Zërin”, duke shprehur dyshimin e tij, ndonëse e pranon se mund të mos e ketë të saktë.

“Por, unë mendoj se duhet të pyeten edhe trajnerët, lojtarët dhe zyrtarët se si po rrjedhin këto ndeshje, me ndryshime të mëdha prej njëra-tjetrës, sidomos për faktin se deklaratat e lojtarëve kanë qenë se ne do të shkojmë veç për fitore. Duhet pasur parasysh faktin se duhen tri fitore për ta fituar titullin, pastaj janë në pyetje shikueshmëria, financat, etj. Kështu që secili njeri mund të dyshojë”, theksoi ai, pa dashur ta minimizoi fitoren e Pejës. “Ky është një dyshim veç i imi personal, dhe s’do të thotë që e kam të saktë. Ka mundur të ndodh që nuk ka qenë dita e Prishtinës, apo Peja ka hyrë shumë e motivuar pas asaj humbjes së parë në Prishtinë, dhe lojtarët e njohur të saj kanë dashur ta tregojnë kualitetin e vërtet”, u shpreh Nixha, i cili pati punuar goxha gjatë në Sigal Prishtinë.

Miftari: 600 euro as një e katërta e një rroge

Drejtori i Sigal Prishtinës, Florian Miftari, mohon kategorikisht mundësinë e lëshimit të lojës nga skuadra e tij, për qëllime tjera, madje çuditet me njerëzit që dyshojnë. “Kjo është absurde të mendohet. Ne kemi shpenzime shumë të mëdha për aq kohë sa lojtarët e huaj qëndrojnë këtu, ndërsa sa më herët që e kryejmë kampionatin, ata shkojnë dhe ulen shpenzimet. Në ndeshjen e fundit kemi shitur 600 euro bileta dhe me këso shume nuk paguhet as një e katërta e rrogës së një lojtari”, tha për “Zërin” Miftari, i cili thotë se basketbolli kosovar është i pastër si loti dhe se nuk do të ndytet asnjëherë.

Edhe pejanët e mohojnë këtë mundësi. “Është budallallëk nëse një klub veç e mendon një kësi skenari. Ta rrezikosh titullin e kampionit dhe buxhetin njëvjeçar për 1 mijë apo 2 mijë bileta, është budallallëk i madh. Ne kemi pasur rast në edicionin 2013/2014 ta bëjmë një gjë të tillë, sepse njerëzit na pyesnin a do t’ia bëni kështu, por as që kemi menduar ta rrezikojmë një vit të tërë. Në fund të fundit jemi rivalë, e duam titullin, dhe kjo është jo logjike”, u shpreh kryetari i Pejës, Art Gashi.

Reagimi i FBK-së

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) nuk ka bazë për dyshime mbi “Fair-Play-n” e ndeshjeve finale të “Play-Offit”. Kështu tha për “Zërin” sekretari i saj, Leart Hoxha. /Zëri