Ferizaj i harruar
Ferizaj e mbylli stinorin vjeshtor në pozitën e fundit në renditje. Shkak për këtë ishte fondi jo i pasur i futbollistëve. Dhe, nëse nuk ndërmerret diçka në klubin ferizajas, atëherë vështirë se mund të priten ditë të mira. Gjithsesi, situata momentale nuk flet mirë për skuadrën e drejtuar nga Rexhep Murseli.
Kryesia e këtij klubit u shpërbë disa xhiro para se të përfundonte kampionati, ndërsa sekretari Ilaz Mjaku dhe drejtori, Naim Sojeva bashkë me trajnerin Murseli, janë të vetmit që kanë mbetur te Ferizaj. Madje, aktualisht, edhe sekretari Mjaku ndodhet jashtë vendit. Për gjendjen kaotike në klub ka folur trajneri, Rexhep Murseli.
“Nuk di çfarë të them. Më duket se kam mbetur i vetëm në klub. Nuk ka asnjë lëvizje. Kushtet financiare nuk janë të mira. Do të jetë shumë vështirë për të bërë diçka”, deklaroi Murseli për ‘Sport Plus’.
“Deri më tash nuk kemi asnjë ndihmë. Situata nuk është shumë e mirë. Por, ne jemi të përkushtuar për të bërë maksimumin. Do të mundohemi të gjejmë zgjidhje në këtë kohë jo fort të lakmueshme”, theksoi Rexhepi, i cili në postin e trajnerit kishte zëvendësuar në mes të stinorit vjeshtor Naim Sojevën e dorëhequr. /Telegrafi/


