Please enter at least 3 characters.

Fëmijët e SOS Fshatrave ende të përjashtuar nga shtesat për fëmijë, Kryeziu: Jemi në fazën përfundimtare të diskutimeve me institucionet

14:"Ridvan Slivova

Edhe pse kanë kaluar tri vite që kur fëmijët nën moshën 16 vjeç janë bërë përfitues të shtesave mujore nga buxheti i shtetit, fëmijët që ndodhen nën përkujdesjen e SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë vazhdojnë të mos e gëzojnë këtë të drejtë.

Berat Kryeziu nga zyra për media në SOS Fshat, në një deklaratë për Telegrafin ka bërë të ditur se këta fëmijë nuk janë përfshirë në skemën e shtesave që ofron Qeveria e Kosovës.

Ai tha se procesi aktual i aplikimit për këto shtesa parasheh që aplikimi të bëhet nga prindi, çka në rastin e fëmijëve nën përkujdesjen e SOS Fshatrave paraqet një sfidë teknike.

“Kjo ka qenë pengesa kryesore për përfitimin e tyre”, u shpreh Kryeziu.

Megjithatë, ai shtoi se tashmë janë në fazën përfundimtare të diskutimeve me institucionet përkatëse për të gjetur një zgjidhje ligjore dhe administrative që do të mundësonte përfshirjen e këtyre fëmijëve në skemat sociale.

“Kemi hasur në mirëkuptim dhe gatishmëri nga ana e Qeverisë së Republikës që edhe fëmijët nën përkujdesje institucionale të përfshihen në skemat mbështetëse. Besojmë se kjo çështje së shpejti do të marrë një drejtim pozitiv”, theksoi Kryeziu.

Kujtojmë se vendimi për shtesat për fëmijë, 10 euro në muaj për ata nën 16 vjeç dhe 20 euro për ata nën 2 vjeç , u mor nga Qeveria Kurti II në gusht të vitit 2021.

Zbatimi i plotë filloi në dhjetor të vitit 2022, ndërsa nga 1 janari 2023 kjo skemë u bë funksionale për të gjithë fëmijët që plotësojnë kriteret. /Telegrafi/