Federata u jep një ndëshkim brutal futbollistëve të Uruguait pas dështimit në Botëror
Lojtarët e Uruguait janë ndëshkuar nga Federata Uruguaiane e Futbollit (AUF) pas dështimit katastrofik në Kupën e Botës 2026.
Skuadra e drejtuar nga Marcelo Bielsa nuk arriti të fitojë asnjë ndeshje në turne dhe u eliminua që në fazën e grupeve, pasi regjistroi dy barazime dhe një humbje në sfidën e fundit ndaj Spanjës.
Përballja me kampionët e Europës ishte kaotike. Portieri veteran Fernando Muslera u zëvendësua që në pushimin mes pjesëve, pasi bëri një gafë të rëndë duke lëshuar në rrjetë një goditje të Alex Baenës.
Situata u përkeqësua edhe më shumë kur mesfushori i Manchester United, Manuel Ugarte, u largua me barrelë për shkak të një dëmtimi të dyshuar në gju, i cili mund ta mbajë jashtë fushave për një periudhë të gjatë.
Para ndeshjes kishte raportime të forta se disa futbollistë të Uruguait ishin rebeluar kundër Marcelo Bielsës dhe metodave të tij të punës. Sipas mediave, një pjesë e yjeve të skuadrës ishin të pakënaqur me intensitetin e seancave stërvitore dhe kishin kërkuar një ndryshim rrënjësor të taktikës.
Megjithatë, asgjë nuk ndryshoi dhe tani Federata Uruguaiane e Futbollit duket se ka dhënë një mesazh të qartë për zhgënjimin ndaj paraqitjes së ekipit.
Sipas raportimeve të El Pais dhe Tenfield, fluturimi privat i planifikuar për kthimin e skuadrës në Montevideo u anulua pas eliminimit të hershëm nga Botërori.
Fillimisht ishte parashikuar që futbollistët dhe stafi të ktheheshin së bashku me një avion çarter nga baza e tyre në Meksikë, por më pas u vendos që të gjithë të udhëtonin me fluturime komerciale.
Ky ndryshim bëri që lojtarët të shpërndaheshin në fluturime të ndryshme, me destinacione dhe ndalesa të ndryshme gjatë rrugës.
Uruguai, i renditur në vendin e 16-të në renditjen botërore, e mbylli grupin në vendin e fundit mes skuadrave të renditura të tretat, me vetëm dy pike, më pak se Skocia, Koreja e Jugut dhe Irani./Telegrafi/


