Erblin Osmani zgjedh Kosovën, talenti i Bayern Munichut do të luajë për Dardanët
Erblin Osmani do të luajë për Kosovën. Lajmin e madh e ka konfirmuar sot ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili ka bërë të ditur se ia ka dorëzuar pasaportën e Kosovës talentit të Bayern München.
Ajeti, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka zbuluar se Osmani ka marrë vendimin për ta përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Nder i veçantë që sot ia dorëzova pasaportën e Republikës së Kosovës talentit tonë të Bayern München, Erblin Osmanit dhe gjithashtu të ndaj lajmin e madh për futbollin kosovar: Erblini do të luajë për Kosovën!".
"Mezi presim ta shohim talentin tonë me fanellën e Dardanëve dhe ta përfaqësojë Kosovën me krenari. Faleminderit Presidentit Agim Ademi dhe Federatës së Futbollit të Kosovës për angazhimin dhe përkushtimin".
"Kjo është edhe një dëshmi tjetër se talentët tanë po zgjedhin Kosovën dhe se e ardhmja e futbollit tonë është e ndritur!”, ka shkruar ambasadori Ajeti.
Nga Bayern München te Dardanët
Osmani konsiderohet një prej talenteve interesantë të gjeneratës së re të Bayern München. Ai është pjesë e akademisë së gjigantit bavarez që nga viti 2017 dhe është ngjitur gradualisht nëpër grupmosha, deri te ekipi i parë.
Në mars të këtij viti, Osmani bëri debutimin me ekipin e parë të Bayern München në Bundesliga, në fitoren 4-0 ndaj Union Berlinit.
Në moshën 16 vjeç e 306 ditë, ai u bë lojtari i dytë më i ri në histori të Bayern München që debutoi në Bundesliga, pas Paul Wanner.
Paraqitjet e tij kanë bërë që klubi bavarez të ketë besim të madh në të ardhmen e tij, ndërsa gjatë verës Bayern München i zgjati edhe kontratën.
Osmani kishte vizituar Kombëtaren e Kosovës
Vendimi i Osmanit për Kosovën nuk vjen krejt papritur. Gjatë këtij viti, talenti i Bayern München kishte vizituar kampin e Kombëtares së Kosovës gjatë një grumbullimi të Dardanëve.
Ai kishte parë nga afër kushtet në të cilat punon Kombëtarja e Kosovës, ndërsa gjatë vizitës kishte zhvilluar biseda edhe me përzgjedhësin Franco Foda dhe presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Kjo vizitë ishte parë si një sinjal i rëndësishëm në lidhje me të ardhmen ndërkombëtare të talentit të Bayern München, i cili deri atëherë kishte qenë pjesë e përfaqësueseve të grupmoshave të Gjermanisë.
Tani, pas marrjes së pasaportës së Kosovës dhe konfirmimit të ambasadorit Faruk Ajeti, dilema është shuar: Erblin Osmani ka zgjedhur Dardanët.
Një tjetër talent i madh për Kosovën
Osmani është lindur dhe është rritur në Gjermani, por ka prejardhje shqiptare nga Kosova.
Për Kosovën, ardhja e tij përfaqëson një përforcim të rëndësishëm për të ardhmen, pasi bëhet fjalë për një futbollist që tashmë ka debutuar në një prej kampionateve më të forta në Evropë dhe që po zhvillohet në një prej akademive më të njohura të futbollit në botë.
Pas Fisnik Asllanit, Leon Avdullahut, Albian Ajetit, Eliot Bujupit dhe talenteve të tjera të gjeneratës së re, Dardanët tashmë kanë edhe një tjetër emër të madh në horizont. /Telegrafi/


