Epopeja e Jasharëve, Kurti: Nuk ishte rastësi që UÇK-ja bazat e para i formoi në Drenicë
Flijimi i Familjes Jashari është flakadani që e përhapi luftën çlirimtare anë e mbanë Kosovës, tha kryeministri, Albin Kurti.
Ai në akademinë përkujtimore të organizuar në 28-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se ajo çfarë ngjau në Prekaz i tregoi armikut serb që familja Jashari nuk mund të mposhtej për sa kohë që mbështetej nga populli.
Në këtë akademi përkujtimore, kryeministri Kurti tha se Epopeja e Jasharëve do të përkujtohet gjithmonë, kudo ku jetojnë shqiptarët.
“Flijimi i familjes Jashari ishte flakadani që e përhapi luftën çlirimtare anë e mbanë Kosovës. ishte ngjarja që e ndau në dysh rrjedhën e historisë. Pas flijimit të Jasharëve në shtëpinë e tyre në Prekaz, shqiptarët e kuptuan që ecja e bërë marshim nuk ndalej dot më. Masakrat në fshatin e Drenicës, Likoshan, Qirez, e më pas në Prekaz goditën familjen shqiptare, vijën e fundit të qëndresës. Paqja në Kosovë ishte e pamundshme, lëvizja paqësore ishte e pamjaftueshme. Kishte ardhur koha e luftës për lirinë kolektive sepse vetëm Republika e pavarur do të sillte paqen e vërtetë. Epopeja e luftës së Jasharëve i tregoi armikut serbë që UÇK-ja nuk mund të mposhtej për sa kohë që mbështetej nga populli. Për ta mbajtur Kosovën e pushtuar, Serbisë do t’i duhej të përzinte krejt popullin shqiptar”, tha Kurti.
Ai tha se nuk ishte rastësi që Ushtria Çlirimtare e Kosovës bazat e para i formoi në Drenicë. Kurti tha se ky kjo krahinë u bë shkolla e qëndresës shqiptare në Kosovë.
Sipas tij, Kosova sot është më e fuqishme se sa kurrë më parë, ajo jep ndihmesë për sigurinë në rajon.
“Nuk mund të flasim për siguri të paqes në Ballkanin Perëndimor, për sa kohë që Serbia ka ambicie të rikthejë sovranitetin e saj mbi Kosovën dhe hegjemoninë në vendet të tjera. Nuk mund të flasim për sigurinë, paqen në Evropë. Për sa kohë që vazhdon pushtimi rus në një pjesë të Ukrainës. Nuk mund të flasim për paqen në botë për sa kohë që lufta po përhapet në Lindjen e Mesme. Situata me shtetin fqinj verior, rritja e klimës së pasigurisë në Evropë, ftesa për angazhime, operacione të paqes në botë na detyrojnë që të rrisim kapacitetet tona mbrojtëse. Aleanca jonë mbetet e palëkundur me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, shtetet e Bashkimit Evropian, Turqinë, Kanadanë, Japoninë e të tjera, sepse bazohet në vlera të njëjta. Bashkëpunimi i Kosovës me Republikën e Shqipërisë është detyrim kombëtar”, përfundoi ai.
Nesër organizohet riti tradicional simbolizues “Nata e Zjarreve”, i cili shënon përfundimin e manifestimit, të njohur si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./KosovaPress


