Enterier artistik mbresëlënës: shtëpi, galeri dhe punëtori në të njëjtin ambient
Arti, jeta dhe dizajni – bashkë në një shtëpi me shpirt dhe identitet
Një shtëpi që ka bashkuar disa funksione dhe breza në enterierin e saj autentik, artistik. Njëkohësisht punëtori arti dhe galeri pikturash e skulpturash, kjo shtëpi është mbi të gjitha një banesë harmonike, që u ofron të gjithëve një kënd të qetë dhe frymëzues për jetë dhe punë.
Në ambientin mesdhetar të qytetit spanjoll Badalona, ndodhet një shtëpi e pazakontë e quajtur Art Gallery House, e projektuar për artistin dhe skulptorin Juan Noguera. Njëkohësisht punëtori, galeri arti dhe shtëpi familjare, kjo banesë është një zgjidhje frymëzuese me sharmin e saj autentik.
Një nga sfidat gjatë projektimit ka qenë integrimi i veprave skulpturore të pronarit në hapësirë, çka ka çuar në konceptin e shtëpisë-galeri arti, transmeton Telegrafi.
Enterier artistik me sharm industrial origjinal
Arkitektja e brendshme Clara Lleal thekson se ideja në dizajnimin e hapësirës ishte të futej atmosferë industriale, duke ruajtur dhe restauruar materialet origjinale. U ekspozuan muret me tulla, u ruajtën harqet me trarë hekuri dhe shtrimi autentik prej betoni.
Duke hyrë në shtëpi, haset zona e madhe e hapur e qëndrimit ditor prej rreth 120 m², me tavan që arrin mbi 6 metra lartësi në pjesën qendrore. Një nga sfidat e dizajnit ka qenë krijimi i një ambienti komod, pavarësisht hapësirës së gjerë dhe lartësisë së madhe.
Elementi dominues është struktura qendrore prej druri me dizajn të personalizuar, e cila shërben si tavolinë ngrënieje, por njëkohësisht edhe si shkalla e katërt e shkallëve që të çojnë në tarracë.
Sipërfaqja e tavolinës është punuar nga druri, motiv që përsëritet edhe në zonën e gjumit, duke ruajtur vazhdimësinë vizuale të hapësirës.
Shkallët janë prej fletë metali të përkulur, ndërsa çeliku i zi është përdorur edhe për mobiliet e kuzhinës dhe bibliotekën. Disa zbrazëtira muri të veshura me dru, të ndriçuara me dritë, ndërpresin vijën e zezë dhe shtojnë ngrohtësi.
Punëtori dhe galeri arti në harmoni me hapësirat e banimit
Përmes dyerve të mëdha rrëshqitëse prej xhami me kornizë metalike të zezë, ndahet një apartament i veçantë. Zona e gjumit, gardëroba dhe hapësira e banjës ndodhen në të njëjtën dhomë, ndërsa dushi dhe tualeti janë të orientuar drejt oborrit, të ndarë me xhama rrëshqitës. Në qendër bie në sy vaska e pavarur, ndërsa mobiliet e dizajnuara me porosi e plotësojnë dhomën.
Materialet e përdorura ndjekin premisën industriale: elemente metalike të zeza, tulla dhe dru të ricikluar. Shfrytëzimi maksimal i dritës natyrale ishte një tjetër qëllim i projektit, ndaj u krijuan hapje në tavan, dhe në pjesën e pasme u formua një oborr i brendshëm.
Pas dhomës së ndenjjes, zbulohet punëtoria artistike e pronarit, e ruajtur ashtu siç e kishte konceptuar ai. Lidhja e ngushtë me pjesën tjetër të banesës e bën atë pjesë të pandarë të shtëpisë.
Në kuadër të punëtorisë ndodhet një banjë me lavaman të punuar me porosi prej çeliku inox, i orientuar drejt dritares. Kanalizimi është integruar në mur, ndërsa rubineti del nga tavani, një detaj unik që i jep karakter hapësirës.
Nga oborri mund të hyhet në dhomat e fëmijëve, të cilat kanë një banjë të përbashkët. Këto dhoma janë të lidhura, të ndërtuara në dy nivele, me galeri ku ndodhen zonat e gjumit.
Të dyja dhomat kanë gardëroba të mëdha, tavolina pune dhe zona pushimi me divane. Në banjë mund të hyhet nga të dy dhomat.
Tarraca e çatisë është rindërtuar plotësisht, me dysheme sintetike për ambiente të jashtme, shumë gjelbërim dhe pishinë të tejdukshme prej çeliku inox.
Art Gallery House është një shtëpi funksionale, që njëkohësisht është edhe një vepër arti frymëzuese. E qëndrueshme në shprehjen e saj autentike, ajo përbën një shembull të shkëlqyer të hapësirës multifunksionale, të përshtatshme për disa breza banorësh.
PLANI
/Telegrafi/


