Emri i Bekim Sejdiut përmendet për president, Harry Bajraktari: Kandidati ideal për Kosovën
Veprimtari shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari ka shprehur mbështetjen e tij për Bekim Sejdiun si kandidat për president të ardhshëm të Kosovës.
Përmes një postimi, Bajraktari ka thënë se Sejdiu përfaqëson një figurë profesionale dhe të papërfshirë në barrë politike, duke e cilësuar si zgjedhje të përshtatshme për Kosovën në këtë periudhë.
“Bekim Sejdiu, kandidati ideal për President të Kosovës”, ka shkruar Bajraktari.
Ai ka theksuar përvojën e Sejdiut në institucione të ndryshme, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, diplomacinë dhe akademinë.
“Ambasadori Sejdiu është një zgjedhje e mençur për Kosovën, sepse nuk bart as bagazh politik dhe as barrë partiake”, ka deklaruar Bajraktari, duke shtuar se ai sjell përvojë profesionale, shtetërore, juridike, akademike dhe diplomatike.
Sipas Bajraktarit, përvoja e Sejdiut si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ambasador i parë i Kosovës në Turqi, konsull i përgjithshëm në Nju Jork dhe profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, e bën atë një figurë të përshtatshme për këtë pozitë.
“Kosova ka nevojë për një lider serioz dhe profesional, i cili e kupton ligjin, e kupton shtetin dhe di të komunikojë me botën”, ka shkruar ai.
Bajraktari ka vlerësuar edhe përvojën ndërkombëtare të Sejdiut dhe raportet e tij me aleatët e Kosovës, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ai e kupton gjithashtu arenën ndërkombëtare, diplomacinë, marrëdhëniet me aleatët dhe rëndësinë jetike të miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në postimin e tij.
Veprimtari shqiptaro-amerikan ka bërë thirrje që partitë politike në Kosovë, si ato në pushtet ashtu edhe opozita, të veprojnë pa vonesa për zgjedhjen e presidentit.
“Kosova ka nevojë për një figurë serioze dhe të respektuar si Bekim Sejdiu, i cili mund t’i bashkojë liderët politikë, institucionet, qytetarët dhe aleatët rreth një qëllimi të përbashkët: forcimit të shtetit të Kosovës”, ka theksuar Bajraktari.
Ndryshe, emri i Bekim Sejdiut është përmendur ditët e fundit në media si një nga emrat që po diskutohet për presidentin e ardhshëm të Kosovës.
Sipas raportimeve të publikuara në media, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë pajtuar në parim që Sejdiu të jetë kandidat për president, megjithatë deri tani nuk ka pasur konfirmim zyrtar për një marrëveshje përfundimtare. /Telegrafi/
Bekim Sejdiu, the ideal candidate for President of Kosova 🇽🇰🇽🇰🇽🇰
Few names are being discussed these days for the next President of the Republic of Kosova. One of them is Ambassador and Professor Bekim Sejdiu.
Ambassador Sejdiu is a wise choice for Kosova because he carries no… pic.twitter.com/ugburtw4b3
— Harry Bajraktari (@HarryBajraktari) August 30, 2026


