KQZ emëron mbi 15 mijë anëtarë të Këshillave të vendvotimeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur sot mori vendim për emërimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve të rregullta, atyre me kusht dhe anëtarëve rezervë për Zgjedhjet Lokale, të cilët do të anazhohen në ditën e zgjedhjeve, më 12 tetor 2025. Sipas vendimit të KQZ-së, emërohen 14,305, anëtarë të 2,571 vendvotimeve të rregullta dhe 54 vendvotimeve me kusht, ndërkaq 1,200 anëtarë të tjerë do të jenë rezervë.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Këshilli i Vendvotim është përgjegjës për sigurimin e integritetit, sigurisë dhe të qetësisë në procesin e votimit dhe numërimit në vendvotim nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve.
“Procesi zgjedhor në Republikën e Kosovës, do të organizohet në 948 Qendra të Votimit me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 2,571 vendvotime dhe 38 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 54 vendvotime”, thuhet në njoftim.
Po ashtu sipas njoftimi, në pikën e fundit të rendit të ditës, KQZ mori vendim për miratimin e procedurës standarde të veprimit në lidhje me të drejtat dhe detyrat e vëzhguesve të akredituar në Zgjedhjet Lokale 2025.
“Qëllimi i kësaj procedure është përcaktimi i rregullave të sjelljes, të drejtave dhe detyrimeve të vëzhguesve të akredituar nga KQZ, në procesin e vëzhgimit të zgjedhjeve në Qendrat e Votimit, Vendvotime, Qendra Komunale të Numërimit, Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe në hapësirat tjera që ndërlidhen me aktivitetet zgjedhore. Kjo procedurë do t’iu dërgohet të gjitha organizatave vëzhguese të akredituara nga KQZ”, thuhet në njoftimin e KQZ-së. /Telegrafi/


