Elsa Lila dhe numri 203
E re, e pafajshme në pamje, me një background jo shumë të lakmueshëm për vegjëlinë e saj, por edhe të rinjve të cilët fati deshi të mos kishin njërin prind, ishte artistja Elsa Lila.
Vajza e cila ndillte vetëm dashamirësi, ishte simbol i perfeksionit në muzikë deri në atë masë sa çdokush ishte i bindur, se edhe kësaj here, Elsa Lila, do të fitojë vendin e parë në festivalin më të madh të fundvitit në Shqipëri.
Gati na mallëngjente me paraqitjet e saj në San Remo dhe përshëndetjen në shqip.
Në psikikën time dhe të çdo shqiptari, ajo ishte Elsa, artisja që arriti të shpalosë vlerat e mohuara për gjysmëshekulli nga diktatura më e egër të ndodhur ndonjëherë në Evropë, e më gjerë.
Çuditërisht, i gjithë ky piedestal, m’u shemb përtokë...
Vëmendja ndaj asaj që po ndodh në Shqipërinë time të dashur, u kthye tek këngëtarja, vajza e cila këndonte për paqen, teksa s’kishte mbushur ende të 18-at. Këngëtarja e re iu bashkua një kauze politike e cila qoftë e drejtë apo e gabuar, po trondit të gjithë opinionin shqiptar.
Ballët e lëkundjes së besimit ndaj saj, sjellin reagim tek bashkëmoshatarë, të cilët ëndërrojnë një Shqipëri të dëlirë dhe të lirë. Moshatarja jonë e cila vendosi me vullnet të lirë të “dergjet” në grevë, mban një pasaportë italiane, pra udhëton lirshëm në Evropë. Por, ç’ndodh me ne të tjerët?
Sytë tanë janë të drejtuar nga zërat që vijnë nga Brukseli, duket se ajo grevë e cila po mbahet për hapjen e kutive të votimit, po merr kah tjetër... po zbeh ëndrrën tonë, për të udhëtuar lirshëm në Botë. E greva pa dyshim që nuk është zgjidhja e duhur, sidomos kur një shembull të mjerë na e dërgon një artiste e re. Me mijëra të shkolluar shqiptarë jashtë nuk do të donin të ktheheshin në vendin e tyre e të ngujoheshin në “kafazet e politikës”. E pakta që mund të bëjnë është zëri i tyre, për të ndryshuar atë që e quajnë të papranueshme...
Ndërsa tani, që Shqipëria është shumë pranë ëndrrës, përse përdoren figura të dëlira, për ta ç’dëlirësuar vendin tonë. Është gjesti më i lehtë, të manipulosh në kohë krize të rinjtë tanë, por jo kaq vrazhdë. Nuk besoj se mund të quhet vullnet i lirë, hyrja në grevë duke pasur pasaportë evropiane, ndoshta artistja s’e ka analizuar qartë vendimin e saj. Epo, asaj i puthën ballin, bile edhe duart, e pakkush ka nderin sot të përjetojë këtë respekt, që për përzgjedhësit e opozitës, u duk fitore e radhës. Por, aty nuk ishte Zhani Ciko, Lili Cingu e shumë artistë të tjerë, që ende ruajnë paanshmërinë politike dhe e duan vendin të ecë përpara.
Paradoksi i një spektakli të dështuar, më venitën edhe atë pakëz besim që kisha për fuqinë e të rinjve të ngecur në rrotën e politikës së vjetër.
Në fund dua, si një e re që e do të ardhmen e Shqipërisë, 203 arsye se përse duhet të përdoren figurat e pakta të respektuara që kemi në botë, përse vendin tonë duhet ta përdhosin njerëz që s’kanë më respekt për veten për të arritur qëllimet e tyre?
Por.. shpresa vdes e fundit thonë, e unë kam aq shumë shpresë, që Elsa dhe shokët e shoqet e saj, të duken pas 10 dite grevë po aq mirë edhe si kanë hyrë. Të kenë fuqinë e njëjtë, për të më bindur se kauza e tyre është e vërtetë dhe mundësisht, pamja e jashtme të më lë gojë hapur, nga rregullsia dhe finesa e të qënit femër.


