Numërohen 215 nga 223 kuti votimi me fletëvotime nga votimi me postë, fillon numërimi i votave me kusht
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Nga fillimi i këtij procesi (e premte, 12 qershor, ora 21:00) dhe deri më tani (e mërkurë, 17 qershor, ora 09:00) janë numëruar 215 nga 223 kuti votimi (96.41%), në të cilat janë vendosur zarfet me fletëvotime pas aprovimit të tyre nga shërbimi votues i KQZ-së.
Në proces të numërimit do të përfshihen 8 kutitë e mbetura dhe kësisoj do të përmbyllet numërimi i të gjitha fletëvotimeve që i takojnë këtij lloj votimi.
Ndërkaq, të mërkurën në mëngjes ka filluar numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht, i cili është mundësuar në 52 vendvotime me kusht, ku janë evidentuar 8,751 votues. Po ashtu, ka filluar edhe numërimi i fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i realizuar jashtë vendvotimeve, ku për këtë lloj votimi kanë qenë të regjistruar 3,144 votues.
Informacione shtesë:
Votimi përmes postës është mundësuar nga 21 maj deri më 6 qershor 2026, ndërsa numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar përmes postës ishte rreth 105 mijë. Të dielën (14 qershor), KQZ ka përmbyllur procesin e vlerësimit të 85,790 pako të supozuara me fletëvotime, prej të cilave janë aprovuar 82,809, ndërkaq janë refuzuar 2,981.
Votimi me kusht është zhvilluar të dielën, më 7 qershor, në 38 Qendra të Votimit, nga një për çdo komunë, me gjithsej 52 vendvotime.
Gjithashtu, edhe votimi i personave me nevoja të veçanta është zhvilluar të dielën, më 7 qershor, por ky lloj votimi është mundësuar jashtë vendvotimeve, në adresa të caktuara të votuesve të regjistruar dhe të evidentua për të votuar përmes ekipeve lëvizëse. /Telegrafi/


