Please enter at least 3 characters.

Elbert Krasniqi merret në pyetje pas denoncimit nga Veton Berisha për ndikim në zgjedhje, policia: S'ka elemente të shkeljes

Kryetari i Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës (IRDK) dhe ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, është intervistuar nga Policia e Kosovës pas pretendimeve për ushtrim presioni ndaj qytetarëve të komunitetit egjiptian gjatë procesit zgjedhor.

Sipas raportimeve në media, ndaj Krasniqit janë ngritur dyshime se ka ushtruar ndikim mbi votuesit e komunitetit egjiptian.

Pretendimet janë bërë publike pas një denoncimi të paraqitur nga Veton Berisha.

Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka zhvilluar procedurat hetimore në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, ndërsa Krasniqi është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Ankuesi e ka raportuar rastin, hetuesit e kanë trajtuar rastin në koordinim me prokurorinë e shtetit. Masi janë kryer procedurat është konstatuar se s’ka elemente të shkeljes”, ka deklaruar Gashi.

Sipas Policisë, pas trajtimit të rastit dhe verifikimit të rrethanave të raportuara, nuk janë gjetur elemente që do të përbënin shkelje ligjore. /Telegrafi/