Ekspertët: Ka ngritje të cilësisë, por duhet edhe shumë punë
Kështu mendojnë disa nga njohësit e futbollit të Kosovës. Sipas eksperteve të futbollit, viti 2014 ka qenë më i mirë në krahasim më vitet e kaluar. Sipas tyre, është një ngritje e vogël e cilësisë, por jo e nivelit të kënaqshme.
Ish trajner i Hajvalisë, Sunaj Keçi, mendon se 10 deri në 20 përqind ka ngritje të kualitetit të futbollit tonë, e sipas tij, kjo ngritje dëshmohet edhe nga skuadrat që kanë arkëtuar shumë pikë si skuadra mysafire.
“Kemi pasur pak ngritje të cilësisë së lojë dhe mysafirët kanë fituar në të shumtën e rasteve, e unë Klubin futbollistik Hajvalia e marrë si shembull, ku në pranverë kemi hasur në problem më të vogla, por që kemi arritur rezultate shumë të mira si mysafirë, më shumë kemi arritur pikë si mysafirë sesa si vendëse. Cilësia 10 apo 20 përqind ka ngritje nga viti i kaluar, ku pesë-gjashtë klube luftojnë për titull, e pesë-gjashtë klube luftojnë për ekzistencën”, ka thënë Keçi.
E, një ngritje të vogël të kualitetit të futbollit tonë, e sheh edhe Agim Hasani ish trajner i Flamurtarit, aktualisht drejtor i këtij klubi.
Hasani mendon se viti 2014 për disa nuanca ka qenë me i mirë se vitet e mëhershme. Sipas tij, tashmë në Kosovë ka shumë trajner të licencuar, të cilët po e kryejnë mirë e tyre, por sipas Hasanit, edhe talentët e rinj që po dalin në sipërfaqe ndikojnë në ngritjen e cilësisë së futbollit.
“Mendoj se ka qenë një nuance më i mirë se sezonin e kaluar duke e ditur se kemi edhe terrene më të mira dhe kemi shumë trajner të licencuar të cilët po e din zejen e tyre, por edhe kemi shumë lojtarë të rinj që po dalin në skenë, dhe mendoj se kjo e bën të vetën”, ka theksuar Hasani.
Edhe kapiteni i FC Prishtinës, Driton Krasniqi është i kënaqur me rrjedhën e garave në vitin që lamë pas, ani pse ai mendon se cilësia ende nuk është e kënaqshme. Krasniqi thekson se me pranimin e futbollit tonë në FIFA e UEFA, futbolli do të ketë rritje të kualitetit.
“Përkundër infrastrukturës, kushteve tona, mendoj se është një arritje maksimale, por e rëndësishme është fakti se probleme nuk ka pasur gjatë kësaj gjysmëfazë që ka mbaruar, por besoj se në të ardhmen do të punohet më shumë në infrastrukture që të jetë loja me atraktive. Mendoj se në vitet e fundit nuk ka pasur ndryshime sa i përket cilësisë, sepse kushtet nuk lejojnë që të ketë më shumë cilësi, por shpresoj dhe besoj se shumë shpjet do të pranohemi në FIFA e UEFA, e atëherë do të cilësi më të mirë”, ka pohuar Krasniqi.
Ai është shpreson se viti që kemi hyrë do të jetë vit i futbollit tonë. /Telegrafi/


