EC Ma Ndryshe shënon Ditën Botërore të Bletëve me aktivitete edukative
Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka shënuar Ditën Botërore të Bletëve me aktiviteteve edukative dhe ndërgjegjësuese me nxënësit dhe fëmijët parashkollorë.
Në shkollën e mesme të ulët "Gani Saramati" në Prizren fillimisht është vendosur një hotel për insekte dhe më pastaj është organizuar vizita me karakter edukativ për nxënësit e kësaj shkolle në një bletore.
“Gjatë kësaj vizite, nxënësit janë informuar për bletët dhe rolin e tyre në ruajtjen e ekosistemit”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Ndërkaq në kopshtin e fëmijëve "Cicërimat" në Prishtinë është mbajtur aktiviteti dedikuar parashkollorëve, ku përmes prezantimeve është theksuar rëndësia e bletëve për biodiversitetin dhe ekuilibrin mjedisor.
“Po ashtu, janë shpjeguar sfidat aktuale mjedisore dhe mënyrat e kujdesit ndaj natyrës. Aktiviteti është përmbyllur me vendosjen e një hoteli për insekte në oborrin e kopshtit, si një hap konkret drejt mbrojtjes së natyrës dhe promovimit të biodiversitetit”, thuhet në njoftim.
Të dyja aktivitetet, sipas EC-it, janë zhvilluar si rezultat i bashkëpunimit dhe ideve të përbashkëta gjatë takimeve me përfaqësuesit e institucioneve edukative arsimore.
“Përmes këtyre nismave, EC synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe biodiversitetit”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/


