Please enter at least 3 characters.

E pabesueshme: Një top futbolli shkakton aksident trafiku

Një ndeshje e kategorisë së dytë në Uruguai prodhoi një situatë të pazakontë të shtunën, pasi një top i larguar fuqishëm nga fusha shkaktoi një aksident trafiku në rrugën pranë stadiumit.

Incidenti ndodhi gjatë përballjes mes Uruguay Montevideo dhe Paysandu, ku një goditje e fortë përfundoi jashtë stadiumit dhe topi përfundoi në autostradën që kalon pranë impiantit.

Topi u fut në rrugë dhe bëri që një prej automjeteve të frenonte papritur. Makina që po lëvizte menjëherë pas saj nuk arriti të ndalej në kohë dhe u përplas me pjesën e pasme të automjetit.

Pamjet e incidentit, të cilat ndodhën pranë stadiumit Parque ANCAP në Montevideo, u kapën edhe nga transmetimi televiziv i ndeshjes dhe më pas u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale.

Për fat të mirë, incidenti nuk ndikoi në vazhdimin e ndeshjes dhe nuk raportohet për pasoja të rënda.

Në fushë, Uruguay Montevideo triumfoi me rezultat 1-0 ndaj Paysandu. Por jashtë saj, “humbësit” ishin drejtuesit e dy automjeteve të përfshira në aksident.

Më poshtë mund të shihni pamjet e momentit kur topi përfundoi në rrugë dhe shkaktoi aksidentin./Telegrafi/