Please enter at least 3 characters.

E pabesueshme çfarë ndodhi në ‘Stamford Bridge’ kur Enzo Fernandez hyri në fushë

Morgan Rogers e shënoi golin e tij të parë me fanellën e Chelseat para tifozëve në “Stamford Bridge”, teksa skuadra e Xabi Alonsos e mbylli fazën parasezonale me një fitore 3-1 ndaj Real Sociedadit. Megjithatë, vëmendjen kryesore gjatë ndeshjes e mori Enzo Fernandez.

Fernandezit, i cili kishte marrë pushim të zgjatur pas angazhimeve me Kombëtaren në Kupën e Botës, iu bashkua Chelseat në stërvitje në fillim të kësaj jave, në një kohë kur po qarkullonin raportime të shumta se ai mund të transferohet te Manchester City dhe të ribashkohet me ish-trajnerin e tij, Enzo Marescan.

Pavarësisht se Chelsea i kishte vendosur Manchester Cityt një afat deri në orën 17:00 të së premtes, 14 gusht, për të paguar çmimin e kërkuar prej 139.5 milionë eurosh, mesfushori argjentinas vazhdon të jetë pjesë e planeve të Alonsos.

Të shtunën, më 15 gusht, Fernandez u aktivizua në pjesën e dytë, por hyrja e tij në fushë shkaktoi reagime të përziera në “Stamford Bridge”.

Një pjesë e tifozëve u ngritën në këmbë dhe e duartrokitën, ndërsa të tjerë e pritën rikthimin e tij me fishkëllima dhe vërshëllima.

Një llogari e tifozëve të Chelseat në X pretendoi madje se disa përkrahës nisën të debatonin mes vete në tribuna për mënyrën se si duhej të reagonin ndaj Fernandezit.

“Është e pabesueshme këtu në Stamford Bridge. Enzo vërshëllehet kur e prek topin dhe më pas dëgjohet ‘Ohhh Enzo Fernandez'. Disa njerëz po debatojnë mes vete në tribuna për atë që duhet të ndodhë”, shkroi tifozi.

Pavarësisht se Fernandez e mori pjesën më të madhe të vëmendjes, Morgan Rogers nuk vonoi të linte gjurmën e tij. Vetëm dhjetë minuta pas debutimit të tij të parë me Chelsean, pas transferimit prej 136 milionë eurosh nga Aston Villa, ai shënoi golin e parë për klubin e ri.

Jon Mikel Aramburu barazoi rezultatin në minutën e 45-të, ndërsa Joao Pedro shënoi dy herë në pjesën e dytë për t’i siguruar Chelseat fitoren 3-1.

Chelsea do ta nisë sezonin e ri në Ligwn Premier më 24 gusht, në transfertë ndaj Fulhamit./Telegrafi/