Please enter at least 3 characters.

Dy teknikat pa pudër që përdorin edhe yjet: Pamje e freskët në ditët më të ftohta

A mund të duket lëkura e freskët, e ndritshme dhe natyrale në dimër, madje edhe pa shtresa të rënda pudre?

Sipas Katie Jane Hughes, grimieres që qëndron pas pamjeve glamuroze të Dua Lipës, Ashley Graham dhe Hailey Bieber - absolutisht po. Dhe sekretet e saj janë më të thjeshta sesa mendoni: qasje e lehtë, zgjedhje e mençur e produkteve dhe teknikë e duhur.

“Ju nuk keni nevojë fare për pudër”, thotë Katie në videon e saj viral në TikTok. “Gjithçka që ju duhet janë produkte që reflektojnë dritën.” E gjithë pika është te mënyra e aplikimit, jo te sasia. Filozofia e sotme e bukurisë nuk është më mbulimi, por theksimi i asaj që tashmë është e bukur.

Baza e lëkurës së ndritshme: Korrektor dhe brushë e duhur

Për një pamje natyrale, të freskët dhe të pushuar, mjafton një korrektor i mirë. Më të mirët janë ata që ndërthuren me kujdesin e lëkurës, duke e lënë atë të hidratuar, të njëtrajtshme dhe natyrale. Por sekreti nuk qëndron vetëm te nuanca dhe cilësia, por edhe te vegla e përdorur.

Katie rekomandon dy lloje brushash: duo-fiber ose një brushë me fibra të gjata sintetike dhe shumë të buta. Pikërisht këto mundësojnë aplikim ultra të lehtë dhe preciz, pa grumbullime produkti ose gjurmë të dukshme, transmeton Telegrafi.

@katiejanehughes How to achieve a flawless skin without the use of heavy coverage complexion products. ##Complexion##Concealer##Foundation##Makeup##TryThis##FYP♬ original sound - Katiejanehughes

Dy teknika që ndryshojnë të gjithë pamjen

  • “Mbushja e brushës”

Kjo është metoda e preferuar e Katie-t. Aplikimi fillon duke e futur korrektorin thellë në fijet e brushës, në vend që ta lini në sipërfaqe. Në këtë mënyrë në lëkurë kalon një sasi minimale produkti në mënyrë të njëtrajtshme dhe natyrale.

Rezultati? Një ten i përsosur që duket sikur nuk keni asgjë në fytyrë, vetëm lëkurë të bukur.

  • Prekja minimaliste

Teknika e dytë kërkon vetëm disa lëvizje, dhe atë në pika strategjike: nën sy, rreth hundës, mbi parregullsitë e vogla. Ideja është të nxirret në pah struktura e fytyrës, konturet natyrore dhe shkëlqimi i shëndetshëm.

Kjo qasje ruan natyralitetin, pa peshë, pa mbulim të të gjithë fytyrës, vetëm ndriçim të zgjuar të pikave të duhura.

Pse e harrojmë pudrën?

Përveç faktit që jep një rezultat vizual më të lehtë dhe më të freskët, kjo teknikë është edhe më e butë për lëkurën. Në vend që ta “mbyllim” lëkurën me pudër, theksojmë shkëlqimin e saj natyral, ndërsa fytyra duket më e shëndetshme dhe më e re. Është e vërtetë, kërkon pak më shumë durim dhe precizitet, por në këmbim merrni lëkurë që duket si lëkurë, vetëm më e bukur. /Telegrafi/