Dy të arrestuar për sulmin ndaj Mehanit në Skenderaj, Lushtaku s’i përgjigjet ftesës për intervistim
Sami Lushtaku s’i përgjigjet ftesës për intervistim.
Dy persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimet për sulmin fizik ndaj kryetari të Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuari me inicialet E.L dhe B.N janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”.
“Janë intervistuar në cilësinë e viktimave H.M., dhe B.Z., pesë (5) dëshmitarë si dhe dy (2) të dyshuar me iniciale E.L., dhe B.N., të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për dyzetë e tetë (48) orë, me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndërkaq sa i përket Sami Lushtakut, Prokuroria ka thënë se i njëjti akoma nuk është përgjigjur ftesës për intervistim.
Përpos Lushtakut, në Prokurori nuk është paraqitur as një i dyshuar tjetër me incialet K.H, ka njoftuar Prokuroria.


