Dua Lipa merr vëmendje me korsenë e çuditshme në një mbrëmje, teksa shoqërohet nga i fejuari i saj Callum Turner
Dua Lipa ka tërhequr vëmendjen teksa mbërriti për darkë në restorantin Braseiro da Gávea në Rio de Janeiro të Brazilit, të martën mbrëma.
Këngëtarja 30-vjeçare u duk mahnitëse, e veshur me një bustierë rozë e vjollcë të frymëzuar nga veshjet e brendshme. Ajo e kombinoi atë me xhinse të errëta dhe sandale lejla me majë të hapur.
Me flokët brune të lëshuar mbi supe, Dua kishte zgjedhur një çantë me motiv leopardi dhe disa varëse të arta për t’i kompletuar pamjen, shkruan DailyMail.
Artistja ndodhet në Brazil për turin e saj “Radical Optimism”.
Dua është e fejuar me aktorin Callum Turner, i cili së fundmi ka folur për romancën e tyre në një intervistë për Vanity Fair.
I pyetur nëse është e vështirë të ruajnë një lidhje kur jetojnë nën vëmendjen e publikut, ai u përgjigj: “Nuk ka asgjë të vështirë. Është gjëja më e lehtë në botë — me të vërtetë.”
Callum shtoi se e vetmja gjë që e shqetëson është kur njerëzit përpiqen t’i fotografojnë fshehurazi kur i takojnë rastësisht.
“Sigurisht që është bezdi kur dikush të filmon, por në përgjithësi njerëzit janë shumë respektues dhe të sjellshëm,” tha ai.
Çifti nisi të takohej në janar 2024 dhe e zyrtarizoi fejesën në qershor të këtij viti.
Këto deklarata vijnë pasi Callum foli hapur për lidhjen me Dua-n, duke e quajtur atë “gruan më të bukur në botë”.
Në një intervistë të re për The Times Style, ai rrëfeu takimin e tyre të parë dhe zbuloi “rregullin” që i ndihmon ta ruajnë marrëdhënien, pavarësisht orareve të ngarkuara dhe distancës.
Romanca e çiftit duket si e dalë nga një film, me Callum që shpjegoi se kishin kaluar “dy, tre, katër, pesë raste të afërta” ku mund të ishin takuar më herët, por që nuk ndodhi, derisa më në fund u gjetën.
Ai rrëfeu: “Kishte plot momente të tilla dhe pastaj, kur më në fund mundëm, të dy ishim beqarë dhe… mendova thjesht se ajo ishte gruaja më e bukur në botë”.
Aktori kujtoi se si u krijua një lidhje e menjëhershme gjatë një mbrëmjeje për ditëlindjen e një miku të përbashkët, ku ndodhën të uleshin pranë njëri-tjetrit dhe zbuluan se të dy ishin në të njëjtin kapitull të të njëjtit libër — romanit Trust të Hernan Diaz.
“Po ta shikoja si skenë filmi, do të shikoja nga qielli dhe do të thosha: ‘E dëgjoj mesazhin. E kuptoj. Shenjat janë të qarta’. Dhe ai ishte momenti i parë,” tregoi ai duke qeshur.
Ndërkohë, javën e kaluar Dua kryesoi “Heat Rich List 2025”, ku renditen 30 personat më të pasur nën moshën 30 vjeç nga Britania e Madhe dhe Irlanda.
Ajo tani vlerësohet me një pasuri prej rreth 129 milionë paundësh, pas një viti të shkëlqyer me turin “Radical Optimism” dhe fejesën e saj të shumëpërfolur.
“Manifestimi është shumë i rëndësishëm për mua,” kishte thënë Dua më herët — dhe duket se po funksionon, pasi ajo i është ngjitur klasës së super-të-pasurve.
Ky vit ka qenë më fitimprurësi për të, falë turit që ka arkëtuar rreth 83 milionë paundë.
Ajo ka gjithashtu podcast-in dhe klubin e saj të librit, një karrierë në aktrim, si dhe bashkëpunime me marka të njohura si Porsche dhe Versace.
Turi botëror i Dua Lipës pritet të përfundojë më 5 dhjetor, me performancën e fundit në Meksikë. /Telegrafi/


