Please enter at least 3 characters.

Dua Lipa merr shtetësinë e Kosovës, presidentja Osmani: Krenare gjithmonë me ty

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur yllin me famë botërore, Dua Lipën në Prishtinë, për t’i dorëzuar shtetësinë e Republikës së Kosovës me dekret presidencial.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani u shpreh se ky është një 'nder i veçantë' për vendin, duke theksuar se është një nga personalitetet më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e Kosovës.

“Mirë se erdhe në shtëpi, Dua”, ka shkruar Presidentja.

Foto: Screenshot/Facebook

“Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, duke bërë histori me të arriturat e saj dhe duke u shndërruar në inspirim për miliona njerëz anekënd globit”, shtoi tutje.

Osmani vlerësoi kontributin e Lipës në promovimin e Kosovës ndërkombëtarisht, në fuqizimin e të rinjve dhe në përkrahjen e artit vendor.

“Kosova është gjithmonë krenare me ty”, përfundon Presidentja postimin e saj.

Ky akt simbolik dhe shumë domethënës vjen në një kohë kur Lipa është kthyer në një nga emrat më të spikatur të industrisë muzikore globale, pa harruar kurrë rrënjët e saj shqiptare.

Ajo nesër (e premte) do të performojë në Sunny Hill, festivalin e themeluar nga babai i saj, Dukagjin Lipa. /Telegrafi/