Please enter at least 3 characters.

Drita me eliminim nga garat evropiane humb edhe miliona euro

Drita ka pësuar një eliminim të dhimbshëm në play-offin e Ligës së Konferencës, pasi Inter D’Escaldes e mposhti pas ekzekutimit të penalltive dhe siguroi kualifikimin në fazën e ligës.

Përveç zhgënjimit sportiv, eliminimi në Andorrë i ka kushtuar kampionit të Kosovës edhe në aspektin financiar, pasi Drita ka humbur mundësinë për të arkëtuar rreth 3.1 milionë euro të tjera nga vazhdimi i garave evropiane.

Drita e nisi aventurën evropiane në Ligën e Kampionëve, si kampione e Kosovës, dhe zhvilloi gjithsej katër raunde kualifikuese.

Në raundin e parë, gjilanasit u përballën me Žalgiris, ndaj të cilit u eliminuan me rezultat të përgjithshëm 4-3. Më pas, Drita vazhdoi garat në Ligën e Konferencës, ku në raundin tjetër u përball me Floriana, transmeton Telegrafi.

Pas një përballjeje dramatike, Drita arriti ta eliminojë skuadrën malteze me rezultat të përgjithshëm 3-2, pas vazhdimeve.

Në raundin pasues, kampionët e Kosovës treguan forcën e tyre ndaj Tre Fiori, duke siguruar kualifikimin me rezultat të përgjithshëm 9-1 dhe duke arritur deri në play-off.

Në ndeshjen e fundit, Drita u përball me Inter D’Escaldes. Pas barazimit 2-2 në Prishtinë dhe 0-0 pas 90 minutash në Andorrë, ndeshja shkoi në vazhdime, por as ato nuk sollën gol.

Fati u vendos nga penalltitë, ku Inter D’Escaldes triumfoi dhe i dha fund aventurës evropiane të Dritës.

1.71 milionë euro të arkëtuara

Sipas përllogaritjes së shpërblimeve të UEFA-s, Drita e mbyll këtë aventurë me rreth 1.71 milionë euro të përfituara nga garat evropiane.

Shuma përfshin: 700 mijë euro nga pjesëmarrja në katër raunde kualifikuese, 750 mijë euro për eliminimin në play-off dhe 260 mijë euro nga bonuset tjera, shkruan Telegrafi.

Por, nëse do të arrinte të kalonte Inter D’Escaldes dhe të siguronte një vend në fazën e ligës së Ligës së Konferencës, të ardhurat do të ishin dukshëm më të mëdha.

Vetëm kualifikimi në fazën e ligës do t’i garantonte Dritës një shumë të konsiderueshme prej 3.1 milionë euro ekstra, ndërsa klubit do t’i hapej mundësia për të fituar edhe më shumë përmes rezultateve.

Në këtë fazë, një fitore vlen rreth 400 mijë euro, ndërsa një barazim rreth 133 mijë euro, përveç shpërblimit bazë të pjesëmarrjes.

Në total, moskalimi në fazën e ligës i ka kushtuar Dritës rreth 3.1 milionë euro të ardhura të mundshme, shumë që do t'i shtohej 1.71 milionë eurove të siguruara deri tani.

Kështu, eliminimi nga Inter D’Escaldes është i dhimbshëm për Dritën në dy aspekte: sportivisht, sepse humbi mundësinë për të luajtur për herë të parë në fazën e ligës, dhe financiarisht, pasi humbi miliona euro të ardhura nga UEFA. /Telegrafi/