Dortmundi luan në finale
Përballja e parë e zhvilluar në Signal Iduna Park përfundoi me rezultat 4-1 në favor të BVB, ndërsa sfida kthyese në Santiago Bernabeu u mbyll me rezultat 2-0 për Mbretërit, ashtu që skuadra gjermane kualifikohet me rezultat të përgjithshëm prej 4-3.
Vendasit e filluan në mënyrë brilante takimin duke kërkuar ta përmbysnin disavantazhin e lartë, mirëpo ata huqin një mori rastesh për të shënuar.
Higuain, Ronaldo dhe Oezil kanë mundur t’i shënojnë golat e nevojshëm që i kualifikonin Los Blancos që në pjesën e parë, mirëpo nuk u treguan të saktë në rastet e tyre dhe gjysma e parë u mbyll pa gola.
Mysafirët, nga ana tjetër, arritën ta përballojnë stuhinë e Mbretërve në minutat e para dhe me kalimin e kohës derisa shkuan në pushim arritën ta bllokojnë lojën e kundërshtarit.
Në fillim të pjesës së dytë, Lewandowski pati dy raste për ta shuar ëndrrën e madrilenëve, mirëpo dështoi të shënonte.
Lojtarët me fanellat e bardha u përpoqën që të ndryshonin rezultat në minutat e mbetura, mirëpo në disa raste kanë mundur të ndëshkohen nga kundërsulmet e gjermanëve.
Shumë vonë (83’) erdhi goli i parë Realit. Kaka pasoi te Oezil, i cili asistoi te Karim Benzema që e zhbllokoi rezultatin.
Fundi i takimit ishte dramatik, pasi Los Blancos shënuan edhe golin e dytë me anë të Sergio Ramos (88’), ndërsa vetëm edhe një gol i dërgonte në finale. Megjithatë, ai gol nuk u shënua në minutat e mbetura.
Borussia Dortmundi do ta presë në finale fituesin e duelit Barcelona-Bayern Munich. Gjasat janë të mëdha që bavarezët të jenë finalisti i dytë, duke qenë se kanë epërsi prej 4-0 nga ndeshja e parë. /Telegrafi/


